Botë

Trumpi zbulon planet për sistemin e mbrojtjes raketore “Kupola e Artë”

Donald Trump - Golden Dome

Foto: Associated Press

SHBA-ja ka zgjedhur një dizajn për sistemin futuristik të mbrojtjes raketore “Kupola e Artë”, ka thënë presidenti Donald Trump, duke shtuar se do të jetë funksional deri në fund të mandatit të tij të dytë. 
Vetëm disa ditë pasi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trumpi zbuloi planet e tij për sistemin e mbrojtjes, që synon t’i kundërpërgjigjet kërcënimeve ajrore “të gjeneratës së ardhshme”, duke përfshirë raketat balistike dhe ato lundruese, raporton "BBC". 

Një shifër fillestare prej 25 miliardë dollarësh është caktuar në një projektligj të ri buxhetor, megjithëse qeveria ka vlerësuar se do të kushtojë shumë më tepër se kaq gjatë dekadave. 

Zyrtarët paralajmërojnë se sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore nuk kanë ecur me ritmin me armët gjithnjë më të sofistikuara që po zotërohen nga kundërshtarët e mundshëm. 

Trump njoftoi se gjenerali i Forcës Hapësinore, Michael Guetlein, do ta mbikëqyrë projektin.
Duke folur në Zyrën Ovale të martën, Trump tha se sistemi do të përbëhet nga teknologji “të gjeneratës së ardhshme” në tokë, det dhe hapësirë, duke përfshirë sensorë dhe interceptorë me bazë në hapësirë. Ai shtoi se Kanadaja kishte kërkuar të ishte pjesë e sistemit. 

Trump tha se sistemi do të “jetë në gjendje të ndalojë raketa të lëshuara nga ana tjetër e botës apo edhe nga hapësira”. 

Sistemi është pjesërisht i frymëzuar nga “Kupola e Hekurt” e Izraelit, sistem që e ka përdorur për të ndaluar raketa e predha që nga viti 2011. 

Mirëpo, “Kupola e Artë” do të jetë shumë më e madhe dhe e projektuar për të luftuar një gamë më të gjerë kërcënimesh, duke përfshirë edhe armët hipersonike të afta për të lëvizur më shpejt se shpejtësia e zërit dhe sistemet fraksionale të bombardimit orbital – të quajtura Fobs – që mund të transportojnë koka bërthamore nga hapësira. 

“Të gjitha do të rrëzohen nga ajri. Shkalla e suksesit është shumë afër 100%”, tha Trump. 

Zyrtarët amerikanë thanë se “Kupola e Artë” do të ketë për qëllim t’i mundësojë SHBA-së t’i ndalojë raketat në faza të ndryshme, përfshirë para lëshimit dhe ndërsa janë në ajër. 

Trump tha të martën se programi do të kërkonte një investim fillestar prej 25 miliardë dollarësh, me një kosto totale prej 175 miliardë dollarësh që do të arrijë me kalimin e kohës.