Botë

Kanadaja po kërkon që të përfshihet në “Kupolën e Artë” të SHBA-së

Mark Carney dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Qeveria kanadeze ka bërë të ditur se është në bisedime me SHBA-në për t'iu bashkuar sistemit të shpallur të mbrojtjes raketore "Kupola e Artë", që synon t’u kundërvihet kërcënimeve ajrore të "gjeneratës së ardhshme".

Zyra e kryeministrit, Mark Carney, ka thënë se ka "diskutime aktive" midis Kanadasë dhe SHBA-së për sigurinë, duke përfshirë programet ekzistuese dhe të reja si “Kupola e Artë”, raporton BBC.

Presidenti amerikan Donald Trump, ka zbuluar planin për sistemin e ri të mbrojtjes raketore të martën, duke njoftuar një shumë fillestare prej 25 miliardë dollarësh për ta ndërtuar atë. Ai ka njoftuar se Kanadaja ka shprehur interes për t'u bashkuar.

Ndërkohë, ka dyshime nga ekspertët se si SHBA-ja do të ofronte një sistem gjithëpërfshirës dhe është e paqartë se si do të merrte pjesë Kanadaja ose sa do të paguante.

Hapja e Kanadasë për t'iu bashkuar sistemit të propozuar “Kupola e Artë” vjen në mes të negociatave të vazhdueshme të tregtisë dhe sigurisë midis dy vendeve, pasi Trumpi kërcënoi me tarifa të larta ndaj Kanadasë dhe ka deklaruar vazhdimisht se synon ta bëjë atë shtetin e 51-të të SHBA-së.