Autoritetet verikoreane kanë kritikuar të martën planin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndërtimin e sistemit të mbrojtjes ajrore “Kupola e Artë”, duke paralajmëruar se kjo lëvizje mund ta kthejë “hapësirën në një fushë të mundshme të luftës bërthamore”.
Sistemi i mbrojtjes, të cilin presidenti amerikan, Donald Trump planifikon ta shpalosë në fundin e mandatit të tij, ka për qëllim të parandalojë dhe të adresojë kërcënimet ajrore ndaj SHBA-së, përfshirë raketat balistike dhe ato lundruese.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut e ka dënuar planin si “kulmin e vetëkënaqësisë dhe të arrogancës”, ka raportuar BBC.
Krahas kësaj, sipas njoftimit të lëshuar nga Pyongyangu zyrtar, SHBA-ja është “e vendosur...që të militarizojë hapësirën” dhe ka paralajmëruar se plani në fjalë mund të shkaktojë “një garë globale të armatimit bërthamor dhe hapësinor”.
Trump, e pati zbuluar planin për sistemin e ri të mbrojtjes raketore javën e kaluar, tek pati thënë se ky program do të kërkonte një investim fillestar prej 25 miliardë dollarësh, ndërkaq deri në fund pritet që të arrijë shifrën totale prej 175 miliardë dollarësh.
Sistemi është pjesërisht i frymëzuar nga “Kupola e Hekurt” e Izraelit, sistem që është përdorur për të ndaluar raketa e predha që nga viti 2011.
Koreja e Veriut i bashkohet Kinës dhe Rusisë në vazhdën e kritikave kundrejt planit amerikan. Zyrtarët kinezë patën deklaruar javën e kaluar se janë “seriozisht të shqetësuar” në lidhje me “Kupolën e Artë”, teksa i kanë bërë thirrje SHBA-së që të braktisë zhvillimin dhe vendosjen e saj.