Kina është e shprehur e shqetësuar lidhur me projektin e paraqitur të martën nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të ndërtuar mbrojtjen raketore hapësinore “Kupola e Artë”.
Shteti aziatik, me të cilin SHBA-ja kohëve të fundit ka zhvilluar një luftë tregtare, i ka kërkuar Uashingtonit të braktisë zhvillimin dhe vendosjen e saj, ka njoftuar të mërkurën një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze, raporton Reuters.
Presidenti Trump ka thënë të martën se kishte zgjedhur një dizajn për projektin dhe emëruar një gjeneral të Forcave Hapësinore për të drejtuar programin ambicioz që synon të bllokojë kërcënimet nga Kina dhe Rusia.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trumpi ka thënë se gjenerali Michael Guetlein, do ta mbikëqyrë projektin.
Ai ka shtuar se sistemi do të “jetë në gjendje të ndalojë raketa të lëshuara nga ana tjetër e botës apo edhe nga hapësira”.
“Kupola e Artë” parashikohet të përfshijë aftësi në tokë dhe në hapësirë që janë në gjendje të zbulojnë dhe ndalojnë raketat në të katër fazat kryesore të një sulmi të mundshëm: zbulimin dhe shkatërrimin e tyre përpara një nisjeje, kapjen e tyre në fazën e tyre më të hershme të fluturimit, ndalimin e tyre në mes të rrjedhës në ajër ose ndalimin e tyre në minutat e fundit ndërsa zbresin drejt një objektivi.
Dallimi në të tri versionet bazohet kryesisht në atë se sa satelitë dhe sensorë do të duhet të b;iheshin për t'u vendosur në hapësirë.
Sistemi është pjesërisht i frymëzuar nga “Kupola e Hekurt” e Izraelit, sistem që e ka përdorur për të ndaluar raketa e predha që nga viti 2011.
Trumpi ka thënë se programi do të kërkonte një investim fillestar prej 25 miliardë dollarësh, me një kosto totale prej 175 miliardë dollarësh që do të arrijë me kalimin e kohës.
Sipas tij, projekti pritet të përfundojë deri në fund të mandatit të tij.