Kryeministri kanadez Mark Carney ka thënë se orientimi i Kanadasë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partneri i saj më i madh tregtar “do të ketë një kosto”, ndërsa një valë tarifash hakmarrëse kanadeze ndaj mallrave amerikane hyri në fuqi, raporton “BBC”.
Në një videomesazh, Carney shtoi se tarifat e reja ndaj SHBA-së “janë të nevojshme për t’i mbrojtur punëtorët tanë”.
Tarifat e Kanadasë do të zbatohen për produkte amerikane me vlerë gati 20 miliardë dollarë amerikanë, nga çeliku te mobiliet dhe bluzat e pambukut, dhe do të arrijnë deri në 50%.
Zyrtarët amerikanë dhe kanadezë kanë deklaruan se duan të arrijnë një marrëveshje, por që nga fundi i gushtit, kur negociatat dështuan, nuk është planifikuar asnjë raund i ri bisedimesh.
Në videomesazhin 15-minutësh të së martës, Carney tha se fokusi kryesor i vendit të tij ishte diversifikimi i marrëdhënieve tregtare dhe ndërtimi i ekonomisë së saj.
Ai shtoi se Qeveria e tij do t’i mbështesë gjithashtu punëtorët e prekur nga lufta tregtare me SHBA-në “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
“Ne kemi gjithçka që na nevojitet për të ndryshuar drejtim dhe për të përparuar”, tha kryeministri. “Ky ndryshim drejtimi do të ketë një kosto. Gjithmonë ka një kosto për veprimin, por ajo nuk i afrohet kostos së qëndrimit në vend”.
Ndërkohë, përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, tha se Washingtoni do të shqyrtonte vendosjen e tarifave reciproke ndaj Kanadasë që të martën.
“Do ta shohim këtë pasdite”, tha ai në frëngjisht, duke folur për CBC News.
Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të hënën se do t'i ndërpriste të gjitha marrëdhëniet biznesore amerikane me prodhuesin kanadez të avionëve Bombardier, nëse kompania nuk do ta zhvendoste prodhimin e saj në jug.
Gjiganti i industrisë së hapësirës ajrore është një nga kompanitë më të mëdha në vend, duke kontribuar me më shumë se 7 miliardë dollarë kanadezë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kanadasë në vitin 2024.
Trump argumenton se këto taksa mbi importet i nxisin konsumatorët të blejnë mallra të prodhuara në SHBA dhe rrisin investimet në SHBA nga kompanitë e huaja.
Por ekonomistët paralajmërojnë se çmimet rriten për konsumatorët për mallrat e përditshme që preken nga tarifat.
Trump e sulmoi Kanadanë në një seri postimesh në Truth Social gjatë fundjavës.