Miliarderi Elon Musk, ka kritikuar politikat financiare të presidentit amerikan, Donald Trump.
Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka miratuar atë që Trumpi e quan projektligjin e tij "të madh, të bukur", i cili përfshin ulje taksash në vlerë prej triliona dollarësh dhe një premtim për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Projektligji tani do të shkojë në Senat.
Titani i teknologjisë Musk i ka thënë CBS News, se është "i zhgënjyer" nga plani, për të cilin mendon se "minon" punën që ai bëri për presidentin, për reduktimin e shpenzimeve.
Musk është emëruar në krye të departamentit të administratës Trump për shkurtimit të shpenzimeve, i njohur si Doge, duke i dhënë fund fondeve për ndihmën e huaj amerikane midis projekteve të tjera, përpara se të njoftonte se do të tërhiqej.
“Isha i zhgënjyer kur pashë faturën masive të shpenzimeve, sinqerisht”, ka thënë Musk për CBS.
Ai ka argumentuar se plani i Trumpit "rrit deficitin buxhetor".
Mendohet se legjislacioni mund të rrisë deficitin ose diferencën midis asaj që shpenzon qeveria amerikane dhe të ardhurave që ajo merr, me rreth 600 miliardë dollarë në vitin e ardhshëm fiskal.
“Projektligji minon punën që po bën ekipi Doge", ka thënë Musk për Departamentin e Efiçencës së Qeverisë.
Komentet e Muskut për këtë çështje nënkuptojnë një distancë në rritje nga Trumpi, të cilin ai e ndihmoi të kthehej në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar me donacione prej më shumë se 250 milion dollarë gjatë fushatës zgjedhore.
Deklaratat vijnë pasi miliarderi kohët e fundit është zotuar të tërhiqet nga Doge. Ai ka thënë se është i përkushtuar për të udhëhequr kompaninë e vetura elektrike Tesla për pesë vjet të tjera, sidomos pas rënies së fitimeve të saj.