Botë

Musk i bie pishman për disa postime kundër Trumpit

Trump & Musk

Miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, të mërkurën shprehu keqardhje për disa nga postimet që kishte bërë në rrjetet sociale javën e kaluar kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ky konflikt i dha fund një partneriteti të fortë që kishte ndihmuar Muskun të merrte drejtimin e Departamentit për Efiçiencë të Qeverisë nën administratën e dytë të Trumpit, duke shkaktuar shqetësime në treg për të ardhmen e kompanive të tij Tesla dhe SpaceX.

“Pendohem për disa nga postimet e mia për presidentin Donald Trump javën e kaluar. Shkuan shumë larg”, shkroi Musk në “X”.

Përplasja u shkaktua nga kundërshtimi i Muskut ndaj projektligjit të mbështetur nga Trumpi për taksat dhe shpenzimet, të quajtur “One Big Beautiful Bill Act”.

Që nga e shtuna, Musku ka fshirë disa prej postimeve që e përshkallëzuan konfliktin me liderin e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë një postim në të cilin e akuzonte Trumpin se përmendej në “dosjet” e abuzuesit seksual tashmë i vdekur, Jeffrey Epstein. Shtëpia e Bardhë kishte mohuar këtë pretendim.

Përplasja, që u zhvillua njëkohësisht në platformat sociale “X” dhe “Truth Social” – në pronësi përkatësisht të Muskut dhe Trumpit – përfshinte edhe kërcënimin e presidentit amerikan për t’i ndërprerë kontratat dhe subvencionet qeveritare kompanive të Muskut.