Botë

Politico: Pritet që Musk e Trump të bisedojnë gjatë ditës

musk trump

Foto: Associated Press

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë aranzhuar një bisedë telefonike mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe miliarderit Elon Musk, ka raportuar "Politico", pas përplasjes së ashpër publike të së enjtes, ku që të dy shkëmbyen ofendime e akuza nga më të ndryshmet.

Biseda e raportuar mund të normalizojë raportet pas një dite jashtëzakonisht armiqësore - e zhvilluar kryesisht në rrjete sociale – që shënoi fundin e zymtë të një aleance të ngushtë.

Aksionet e kompanisë “Tesla” të Muskut ranë me mbi 14 për qind të enjten, duke humbur rreth 150 miliardë dollarë të vlerës në treg – rënia më e madhe ditore në historinë e kompanisë. 

Mirëpo, këto aksione u rikuperuan pjesërisht, duke u rritur me 5% pas raportimit nga "Politico" që tregonte se Musk dhe Trump kishin planifikuar të zhvillonin një bisedë.

Musk kishte financuar një pjesë të konsiderueshme të fushatës presidenciale të Trumpit, ndërsa më pas ishte bërë një nga këshilltarët më të afërt të presidentit, duke udhëhequr deri vonë me Departamentin për Efiçiencë Qeveritare (DOGE).

Përplasjet verbale shpërthyen të enjten pasi Trumpi u shpreh para gazetarëve në Zyrën Ovale se ishte “shumë i zhgënjyer” me Muskun dhe se nuk ishte më i sigurt nëse miqësia e tyre do të zgjaste. 

Për pasojë, që të dy më pas shkëmbyen thumbime në platformat e tyre sociale, respektivisht në platformën e Trumpit “Truth Social” dhe në “X” e cila është në pronësinë e Muskut.