Botë

Trumpi thotë se marrëdhënia me Muskun ka mbaruar

Musk & Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se marrëdhënia e tij me ish-këshilltarin Elon Musk  ka mbaruar, raporton "BBC". 

“Do të supozoja se po”, tha Trump të shtunën për “NBC News”, kur është pyetur se nëse mendonte se marrëdhënia e tij e ngushtë me miliarderin Musk ka mbaruar. 

Ai u përgjigj “jo” kur u pyet nëse dëshironte ta rregullonte marrëdhënien e dëmtuar. 

Komentet e Trumpit janë të fundit që nga përplasja mes tij dhe Muskut që u zhvillua në rrjete sociale. 

Kjo erdhi pasi Musk kritikoi publikisht projektligjin e presidentit amerikan për taksat dhe shpenzimet. 
Trump të enjten tha se është i zhgënjyer me sjelljen e Muskut. Ndërsa më pas vazhdoi përballja mes tyre në rrjetet sociale. 

Në intervistë për “NBC News” të shtunën, Trump tha se Musk ka qenë shumë “mosrespektues”. 

“Mendoj se është gjë shumë e keqe, pasi ai ka qenë shumë mosrespektues. Nuk mund të tregosh mosrespekt ndaj zyrës së presidentit”, tha Trump.