Botë

Trump: Izraeli do të duhet të vendosë rreth hapave të radhës në Rripin e Gazës

Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të dielën se i takon Izraelit të ndërmarrë vendime mbi hapat e radhës në Rripin e Gazës, tek ka shtuar se nuk e ka as idenë më të vogël se çfarë do të ndodhë pas dështimit të negociatave me grupin militant palestinez Hamas, ka shkruar Reuters. 

Ai ka nënvizuar rëndësinë e lirimit të pengjeve që po mbahen nga grupi militant në enklavën palestineze. Ndër të tjera, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka shtuar se Washingtoni do të sigurojë më shumë ndihmë për popullatën mbi 2 milionëshe të territorit të shkatërruar nga sulmet e ushtrisë izraelite.

“Ata s’duan që t’i lirojnë (pengjet), kështu që Izraeli do të marrë një vendim”, ka deklaruar Trumpi para gazetarëve në fillim të takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Skoci.

“Unë e di se çfarë do të bëja, por nuk mendoj se është e përshtatshme ta them. Sidoqoftë Izraeli do të duhet të marrë një vendim”, ka përsëritur ai, teksa ka pretenduar gjithashtu se Hamasi po i vidhte pakot ushqimore që hynin në Gaza dhe po i shiste.

Agjencia e lajmeve Reuters pati raportuar të premten se në kuadër të analizës së brendshme të Qeverisë amerikane, nuk është gjetur asnjë provë për vjedhje sistematike të ndihmave humanitare nga ana e Hamasit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar se forcat izraelite kanë vrarë mbi 1,000 persona që kërkonin ndihmat ushqimore, shumicën prej tyre pranë pikave të shpërndarjes të Fondacionit Humanitar të Gazës, fondacion ky privat që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.

Dhjetëra banorë të enklavës kanë vdekur nga kequshqyerja në javët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet prej Hamasit. 

Kjo Ministri ka raportuar gjithashtu edhe për gjashtë vdekje të reja gjatë 24 orëve të fundit për shkak të kequshqyerjes, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga kequshqyerja dhe uria që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në 133, ndër ta 87 fëmijë.