Botë

Trump: E rrezikshme që Britania të bëjë biznes me Kinën

Donald Trumpi

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se është “e rrezikshme që Britania e Madhe të zhvillojë marrëdhënie biznesi me Kinën". 

Këto komente Trumpi i ka bërë në kohën kur kryeministri britanik Keir Starmer po qëndron për vizitë në Kinë, ku është pritur nga presidenti kinez Xi Jinping.

Trumpi ka reaguar ndaj marrëveshjeve të arritura mes Britanisë së Madhe dhe Kinës, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve. 

Duke folur gjatë premierës së një dokumentari kushtuar bashkëshortes së tij, Melania, Trumpi iu referua Xi Jinpingut si “mik” dhe tha se e njeh presidentin kinez “shumë mirë”.

Në reagim ndaj këtyre deklaratave, qeveria britanike ka bërë të ditur se autoritetet amerikane kishin qenë të informuara paraprakisht për vizitën e Starmerit në Kinë dhe për objektivat e saj.

Zyra e Kryeministrit britanik, gjithashtu theksoi se Trumpi pritet të vizitojë vetë Kinën në muajin prill, ka shkruar BBC.

Trumpi i bëri komentet pasi Starmer pas takimit me Xi Jinpingun të enjten ka deklaruar se marrëdhëniet e shtetit të tij me Kinën ndodhen në një fazë “të mirë dhe të fortë”. 

Trumpi ka komentuar shkurt kur është pyetur për marrëveshjet mes Kinës e Britanisë, por ka përmendur në këtë rast Kanadanë duke dhënë një koment të ngjashëm edhe për marrëdhëniet tregtare të saj me Kinën. 

“Kjo është edhe më e rrezikshme, sipas mendimit tim, për Kanadanë”, tha Trumpi. “Kanadaja nuk po ecën mirë. Gjendja e saj është shumë e dobët dhe nuk mund ta shihni Kinën si zgjidhje,” ka shtuar ai.

Më herët këtë javë, Trumpi ka kërcënuar se do të vendoste tarifa ndaj Kanadasë, nëse ajo do të vazhdonte me marrëveshjet ekonomike të arritura me Kinën gjatë një vizite të fundit në Pekin nga kryeministri kanadez, Mark Carney.