Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se s’është duke synuar të zhvillojë samit të përbashkët me presidentin kinez, Xi Jinping, porse ka shtuar se mund ta vizitojë Kinën në saje të ftesës së bërë nga homologu i tij.
“Mund të shkojë në Kinë, por kjo do të ndodhte vetëm në saje të ftesës së presidentit Xi, e cila është bërë. Përndryshe, s’kam interes”, ka shkruar Trump në platformën “Truth Social”.
Këshilltarët e afërt të Trumpit dhe Xisë kanë diskutuar rreth mbajtjes së një takimi potencial ndërmjet liderëve, gjatë udhëtimit të planifikuar të presidentit amerikan drejt Azisë në fund të vitit, ka shkruar Reuters.
Udhëtimi i mundshëm në Kinë do të ishte takimi i parë ballë për ballë mes të dyve, që nga fillimi i mandatit të dytë të Trumpit, në kohën kur tensionet tregtare dhe ato të sigurisë midis dy superfuqive janë ende të larta.
Edhe pse asgjë nuk është zyrtarizuar, diskutimet po zhvillohen në të dy anët e Paqësorit për mundësinë që Trumpi ta vizitojë rajonin rreth kohës së samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i cili këtë vit mbahet në Korenë e Jugut.
Ka gjithashtu bisedime për takim të mundshëm në margjinat e këtij samiti, i cili zgjat nga 30 tetori deri më 1 nëntor.
Ndërkohë, rundi i tretë i bisedimeve tregtare SHBA-Kinë, që po zhvillohet këtë javë në Stokholm, mund të shërbejë si parapërgatitje për samitin e liderëve në vjeshtë, duke krijuar bazën për përparim diplomatik.