Botë

Të paktën dy të vrarë nga sulmet ruse që goditën mbarë Ukrainën

ukriana

Foto: Associated Press

Ushtria ruse ka kryer një tjetër sulm masiv me dronë në disa pjesë të Ukrainës. 

Në qytetin jugor ukrainas të Odesës, dy persona mbetën të vrarë pasi sulmet me dronë goditën një ndërtesë banimi dhe disa qendra shëndetësore, përfshirë një spital, sipas njoftimit nga zyrtarët. 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka pretenduar po ashtu se 13 persona janë plagosur si pasojë e këtij sulmi.

Një sulm është kryer edhe në drejtim të kryeqytetit ukrainas, Kiev, duke plagosur të paktën katër persona dhe duke dëmtuar pjesë të mëdha të 7 prej 10 distrikteve të qytetit, ka raportuar BBC.

Sipas Zelensky Rusia kishte lëshuar afro 315 dronë brenda një nate në mbarë vendin.

Sulmi brenda natës “ishte njëri nga sulmet më të mëdha në Kiev”, ka shkruar presidenti ukrainas në rrjete sociale.

Sipas Zelenskyt, pjesë të tjera të vendit, sikurse rajoni i Dnipros dhe i Chernihit kanë qenë gjithashtu cak i sulmeve.

Këto zhvillime pasojnë sulmet masive me dronë të disa ditëve më parë të lëshuara po ashtu nga Rusia në drejtim Ukrainës, që shërbyen si kundërpërgjigje për sulmet e Kievit zyrtar brenda territorit rus. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, në bisedën telefonike të disa dite më parë me homologun e tij amerikan, Donald Trump, ishte zotuar se do të hakmerrej lidhur me sulmet. 

Moska dhe Kievi u rikthyen në tavolinën e bisedimeve për herë të parë pas më shumë se tre vjetësh, por përveç një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve të luftës, nuk ka pasur ndonjë përparim të dukshëm.