Gazetari Shefki Ukaj ka rrëfyer se ishte kërcënuar me vrasje pasi kishte mbajtur fjalimin mortor në varrimin e gazetarit dhe bashkëpunëtorit të tij, Xhemail Mustafa, i cili u vra pas luftës në Kosovë.
Në bashkëbisedimin me publicistin Veton Surroi, në podcastin PIKË, Ukaj ka thënë se pas vrasjes së Mustafës kishte vazhduar të shkruante për proceset demokratike në Kosovë dhe të kundërshtonte përpjekjet për marrjen e pushtetit përmes dhunës.
Ai ka treguar se kishte marrë një telefonatë kërcënuese, në të cilën i ishte thënë se do ta ekzekutonin dhe se familja e tij nuk do ta dinte as ku ndodheshin eshtrat e tij.
“Ti po shkruan për proceset demokratike në Kosovë, po i mbron njerëzit kështu qysh e kisha fjalën tash... Edhe ty ia din çka boj me ty, të gjuj në bunar, të ekzekutojmë edhe familja s’e di as ku i ki eshnat”, ka rrëfyer Ukaj fjalët që, sipas tij, i ishin thënë në telefon.
Ai ka thënë se rastin e kishte paraqitur në polici të UNMIK-ut dhe për disa ditë ishte nën mbrojtje.
Edhe
Sonte PIKË me Veton Surroin, mysafir Shefki Ukaj
Ukaj ka rrëfyer edhe një rast tjetër, kur bashkëshortja e tij kishte vërejtur se po ndiqeshin në rrugë. Sipas tij, ky incident kishte ndodhur vetëm tri ditë pas kërcënimit, ndërsa prania e bashkëshortes dhe hyrja në një dyqan këpucësh mund të kenë parandaluar një sulm ndaj tij.
Gjatë bisedës, Ukaj ka folur edhe për vrasjen e Xhemail Mustafës, të cilin e ka cilësuar si gazetar, intelektual dhe njeri të matur, duke shprehur dhimbjen për vrasjen e tij.
Ai ka kujtuar se në ceremoninë e varrimit ishte caktuar të mbante fjalimin mortor, pasi presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova nuk kishte mundësi të merrte pjesë.
“E dhashë një fjali: ‘Kush e vret Xhemail Mustafën, e vret ardhmërinë e Kosovës’. Edhe sot i kam mbetë besnik asaj fjalie, se mendoj që kam pasë të drejtë”, ka thënë Ukaj.
Edhe
Ukaj për vitin 1991: Kishte shtytje që me hy në llugë pa sakicë
Ai ka shprehur shqetësimin që vrasja e Mustafës nuk është zbardhur as pas më shumë se dy dekadash, duke thënë se as gjykatat e UNMIK-ut, as ato të EULEX-it dhe as institucionet vendore nuk kanë arritur të identifikojnë përgjegjësit.
Ndërkaq, Surroi ka thënë se plagët e tilla nuk mund të mbyllen pa u zbardhur e vërteta, duke vënë në pah se moszbardhja e vrasjes së Mustafës po bartet nga një gjeneratë në tjetrën.