Gazetari Shefki Ukaj ka thënë se në vitin 1991 kishte zëra dhe shtytje për radikalizimin e situatës në Kosovë dhe kalimin në rezistencë të armatosur, ndonëse vendi nuk kishte kapacitete të mjaftueshme për një përballje të tillë me Serbinë.
Në bashkëbisedimin me publicistin Veton Surroi, në podcastin PIKË, Ukaj ka vlerësuar se hapja e një fronti të armatosur në ato rrethana do të mund të kishte pasoja të rënda për shqiptarët e Kosovës, të cilët, sipas tij, nuk kishin as armatimin e nevojshëm për t'u mbrojtur.
Ai ka rikujtuar se pas marrjes së Mbrojtjes Territoriale nga Serbia, shqiptarët kishin mbetur pothuajse pa armë, pasi edhe ato pak armë të vjetra ishin mbledhur dhe dorëzuar.
“Ka qenë një shtytje që me hi në llugë, thojke po të vjetrit të thoshin në llugë pa sakicë, ne as sakicën nuk e kishim. Edhe ishte e tmerrshme”, ka thënë Ukaj.
Ai ka përmendur edhe disa figura që, sipas tij, kishin bërë thirrje për radikalizimin e situatës dhe kalimin në rezistencë të armatosur, por pa ofruar një strategji konkrete se si do të zhvillohej një përballje e tillë.
Ukaj ka përmendur në këtë kontekst Lekë Lulgjurajn, për të cilin ka thënë se kërkonte radikalizimin e situatës dhe kalimin në rezistencë të armatosur, por nuk ofronte një përgjigje se me çfarë mjetesh do të realizohej kjo.
Nga ana tjetër, Surroi ka thënë se në atë periudhë Lëvizja ishte përballur me dilema të mëdha, pasi shpërbërja e Jugosllavisë dukej e pashmangshme dhe pritej të ndodhte në mënyrë të dhunshme, ndërsa Kosova nuk ishte e përgatitur për një zhvillim të tillë.