Moti në javën e ardhshme pritet të jetë me reshje të borës dhe ngrica me intensitet më të theksuar për shkak të temperaturave tejet të ulëta, të cilat pritet të zbresin deri në -13 gradë Celsius.
Gjatë periudhës 30 nëntor – 4 dhjetor 2026, moti do të karakterizohet me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Temperaturat do të mbeten dukshëm të ulëta, me tendencë të rënies së mëtejshme në fillim të javës, e ngrirja e sipërfaqes së borës do të favorizojë krijimin e shtresave të akullit.
Ndonëse në fund të javës pritet rritje e lehtë e temperaturave, megjithatë nuk do të jetë e mjaftueshme për eliminimin e ngricave. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, shtresa e borës do të jetë e qëndrueshme.
Të hënën pritet mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu. Temperatura minimale do të zbresë deri në -7 gradë Celisus, ndërsa maksimalja pritet të jetë jo më e lartë se 1 gradë Celsius.
Ndërkohë të martën ndonëse parashihet mot me diell dhe me vranësira të pjesshme, minimalja sipas IHMK-së pritet të zbresë deri në -11 gradë Celsius, ndërsa temperatura maksimale do të jetë 0 gradë Celsius.
Të mërkurën temperatura minimale pritet të zbresë deri në -13 gradë Celsius. Këto temperatura pritet të ndikojnë në formimin e ngricave në të gjitha rajonet e vendit dhe për këtë rekomandohet kujdes i shtuar për pjesëmarrësit në komunikacion, për shkak të mundësisë së ngrirje së sipërfaqeve të rrugës. Edhe maksimalja do të jetë nën minus gradë Celsius.
Të enjten po ashtu pritet të ketë ngrica gjatë orëve të para të ditës. Temperaturat minimale do të lëizin nga -6 deri në -13 gradë Celsius, derisa ato maksimale pritet të lëvizin nga -4 deri në 1 gradë Celsius. Kujdes i shtuar u rekomandohet pjesëmarrësve në komunikacion edhe gjatë së enjtes, veçanërisht drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në zonat kodrinore-malore.
Ndërkohë të premten moti pritet të jetë kryesisht i vranët, me intervale kohore me diell. Gjatë orëve të mëngjesit do të ketë kushte për paraqitjen e ngricave, ndërsa gjatë ditës, si pasojë e rritjes graduale të temperaturave maksimale, pritet një zbutje e lehtë e kushteve termike. Temperaturat minimale pritet të sillen prej -6 deri në -11 gradë Celsius, ndërsa maksimalja deri në 3 gradë Celsius.
Tutje IHMK-ja ka rekomanduar që qytetarët të kufizojnë qëndrimin e gjatë në ambiente të hapura gjatë orëve të mëngjesit dhe të natës, të përdorin veshje të ngrohta dhe të kujdesen veçanërisht për grupet më të ndjeshme të popullsisë. Po ashtu, personat me sëmundje kronike duhet t'i kushtojnë vëmendje të shtuar ndryshimeve të kushteve atmosferike.
“Kushtet e tilla atmosferike mund të ndikojnë në rritjen e ndjesisë së lodhjes, përgjumjes, uljen e përqendrimit dhe shtimin e shqetësimeve te personat meteoropatë. Gjithashtu, ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave të ulëta mund të rrisë rrezikun e ftohjes së organizmit dhe problemeve shëndetësore që lidhen me të ftohtin”, thuhet mes tjerash.