Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Auditori gjen se Komuna e Prishtinës përdori mjetet për projekte të tjera, BERZH-i ngrin kredinë

Komuna e Prishtinës

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka njoftuar se deri tash nuk ka disbursuar asnjë fond nga huaja prej 5 milionë eurove për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike të Prishtinës. Ky projekt është paraparë të përfshijë 47 objekte. Ndërkohë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Prishtinës ka përdorur mbi 2.18 milionë euro për gjashtë projekte të tjera, në kundërshtim me kushtet e marrëveshjes së huas

Për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike në Prishtinë, në vlerë prej 5 milionë eurosh, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë thënë se nuk kanë dhënë asnjë fond nga kredia e miratuar për këtë qëllim.

E Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Prishtinës ka përdorur mbi 2.1 milionë euro për projekte të tjera, në vend se për atë për të cilin është marrë kredia.

Projekti, në të cilin Ministria e Financave është huamarrëse, Komuna e Prishtinës zbatuese dhe BERZH-i kredidhënës, kishte për qëllim përmirësimin e kushteve të ngrohjes dhe kursimin e energjisë në 47 objekte publike. 

Në mesin e tyre janë çerdhe, shkolla dhe qendra të mjekësisë familjare.

Por, aktualisht, projekti nuk po zbatohet.

Sipas raportit të auditimit, Komuna nuk i ka përdorur paratë në përputhje me marrëveshjen e kredisë.

“Auditimi ka identifikuar se Komuna e Prishtinës kishte shpenzuar vlerën prej 2,180,417€ për gjashtë projekte të tjera si: projekti për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike, projekti për ndërtimin, zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të ndriçimit publik, projekti për fasadimin e ndërtesave të vjetra në kryeqytet, projekti i financuar nga instrumenti IPA III/Marrëveshjet e bashkëfinancimit me FKEE, projekti për rrethoja të sigurisë në komunikacion si dhe projekti për menaxhimin e mbeturinave”, thuhet në raportin e Auditimit.

Ndërkaq, nga BERZH-i i kanë thënë KOHËS se deri tash nuk ka disbursuar asnjë fond nga kjo kredi dhe as nga granti i Bashkimit Evropian për këtë projekt.

Sipas bankës, ajo pagesat për projektet që i financon i bën drejtpërdrejt te kompanitë zbatuese, pasi të kontrollojë dokumentacionin dhe shpenzimet e paraqitura.

“BERZH-i nuk ka rol në miratimin e ndarjeve buxhetore apo transaksioneve në nivel qendror ose komunal. Deri më tani, nuk është disbursuar asnjë fond nga huaja e BERZH-it apo granti i BE-së në kuadër të projektit për Efiçiencën e Energjisë në Ndërtesat Publike në Prishtinë. Të gjitha disbursimet e mjeteve për këtë projekt, sikurse edhe për projektet e tjera të BERZH-it në sektorin publik, i nënshtrohen kontrolleve të përcaktuara. Pagesat kryhen drejtpërdrejt te kontraktorët për shpenzimet e pranueshme, pas shqyrtimit të dokumentacionit të kërkuar”, thuhet në përgjigjen e BERZH-it.

Auditori ka gjetur gjithashtu se nuk është respektuar mënyra e pagesave e përcaktuar në marrëveshjen e kredisë.

Sipas raportit, Ministria e Financave i ka regjistruar fondet në sistemin e buxhetit, por nuk ka lejuar që pagesat për projektin të bëheshin nga Thesari. 

Pavarësisht kësaj, Komuna e Prishtinës, gjatë viteve 2024, 2025 dhe 2026, i ka përdorur këto mjete për projekte të tjera dhe ka bërë pagesa në llogaritë bankare të kompanive përfituese.

“Ministria e Financave, në përputhje me Ligjin e Buxhetit dhe kornizën tjetër ligjore, ka alokuar fondet e huamarrjes në SIMFK për të mundësuar procesin teknik të regjistrimit të shpenzimeve në SIMFK, por jo edhe realizimin e pagesave nga Llogaria e Vetme e Thesarit për projektin ‘Efiçienca e Energjisë në Ndërtesat Publike’. Pavarësisht kësaj, Komuna e Prishtinës, në vitet 2024, 2025 dhe 2026, ka përdorur në mënyrë të parregullt fondet dhe ka realizuar pagesat për projekte të tjera përmes Llogarisë së Vetme të Thesarit (LLVTH). Përkatësisht, fondet janë transferuar nga LLVTH-ja në llogaritë bankare të operatorëve ekonomikë. Si rrjedhojë, mënyra e realizimit të pagesave përmes LLVTH-së nga Komuna e Prishtinës në llogari të operatorëve ekonomikë paraqet devijim nga mekanizmi dhe kushtet e pagesës të përcaktuara në marrëveshjen e huas”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas përgjigjes së auditorit, duke iu referuar marrëveshjes, disbursimi i fondeve nga BERZH-i është proces i mëvonshëm. Paraprakisht do të duhej të zhvilloheshin aktivitete të tjera konfirmuese nga palët.

E Komuna e Prishtinës, në një përgjigje të datës 5 nëntor, ka thënë se fondet për këtë projekt janë bllokuar nga Ministria e Financave.

Sipas drejtoreshës në Drejtorinë e Transformimit, Nora Cimili, bllokimi ka ndodhur pasi Komuna ka kërkuar pagesën e avansit për kompaninë që do t'i kryente punimet.

“Mjetet financiare për realizimin e projektit janë bllokuar pas dorëzimit të kërkesës për pagesën e avansit të kontratës së punimeve. Konkretisht, pas inicimit të procedurave për realizimin e kësaj pagese, Ministria e Financave ka bllokuar kodin përkatës buxhetor, duke pamundësuar procedimin e mëtejshëm të pagesave. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e projektit, duke shkaktuar vonesa në përmbushjen e obligimeve financiare ndaj operatorit ekonomik dhe, si pasojë, pezullimin e punimeve në objektet publike të përfshira në projekt”, ka thënë Cimili.

KOHA i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës për gjetjet e auditorit që nga 11 nëntori, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Komunës, për siç ka theksuar keqpërdorimin e rreth 2.2 milionë eurove për qëllime të tjera nga ato të projektit.

As Ministria e Financave nuk i është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë projekt.

Pasojat e ndërprerjes së punimeve janë ndier edhe në shkolla. Dhjetë prej tyre kanë mbetur pa sistemet e ngrohjes, pasi punimet nuk janë përfunduar.