Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nisma qytetare shtyn Kuvendin të trajtojë reformimin e sistemit arsimor

Shkolla Ismail Qemali Prishtine Nxenes Greva Klaset

Foto: Driton Paçarada

Pas peticionit të nënshkruar nga mbi 12 mijë qytetarë me kërkesën për shpëtimin e arsimit, Kuvendi i Kosovës u ka hapur rrugë procedurave për hartimin e dy projektligjeve që synojnë pensionimin e parakohshëm vullnetar të mësimdhënësve të moshës 55 deri në 64 vjeç dhe ndryshimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar. Nismat përfshijnë edhe vlerësimin periodik të mësimdhënësve dhe riorganizimin e shkollave me numër të vogël nxënësish

Me vendimin e 27 nëntorit, Kuvendi i Kosovës u ka hapur rrugë tri nismave qytetare që lidhen me reformimin e sistemit të arsimit parauniversitar.

Përmes këtij vendimi, Kuvendi ngarkon Komisionin për Arsim që të hartojë Projektligjin për pensionimin e parakohshëm vullnetar të mësimdhënësve dhe të iniciojë ndryshimet në Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

Vendimi është marrë pas peticionit të iniciuar nga Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar, të cilin e kanë nënshkruar 12 mijë e 526 qytetarë, me kërkesën për shpëtimin e arsimit.

Përmes këtyre ndryshimeve synohet të adresohen tri çështje kryesore.

“Të hartojë projektligjin për pensionimin e vullnetshëm të parakohshëm të mësimdhënësve të moshës 55 deri 64 vjeç në arsimin parauniversitar. Të amendamentojë nenin 5 dhe nenin 13 të Ligjit Nr. 04/L-032 për arsim parauniversitar, ashtu që t’i obligojë institucionet e Kosovës të ndërmarrin veprime konkrete për riorganizimin e të gjitha shkollave me më pak se 60 nxënës. Të amendamentojë nenin 33 të Ligjit Nr. 04/L-032 për arsim parauniversitar, duke shtuar dispozita për vlerësimin vjetor të aftësive dhe njohurive të mësimdhënies për të gjithë mësimdhënësit”, thuhet në kërkesën e Rrjetit të OShC-ve për Arsimin Parauniversitar.

Agon Ahmeti nga organizata ETEA, e cila ishte pjesë e organizimit të këtij peticioni, ka thënë se përmes vlerësimit periodik të mësimdhënësve synohet të identifikohen dhe adresohen vazhdimisht nevojat dhe mangësitë në sistemin arsimor, e jo të ndëshkohen mësimdhënësit.

Sipas tij, në dekadën e fundit, vetëm 3 për qind e mësimdhënësve i janë nënshtruar një vlerësimi formal.

“Për sa i përket çështjes së riorganizimit të rrjetit të shkollave, duhet theksuar që në Kosovë kemi mbi 350 klasa në nivel vendi që kanë më pak se pesë nxënës, pra klasa me dy-tre nxënës. Kemi 136 paralele të ndara, të cilat nuk i plotësojnë kriteret ligjore për të qenë, për të pasur funksionin të cilin e kanë. Po ashtu, edhe 62 shkolla në nivel vendi që nuk i plotësojnë kriteret për të qenë shkolla realisht, për të ofruar mësimdhënie për shkak të numrit të ulët të nxënësve. Kjo si politikë është adresuar edhe me udhëzime administrative, por zbatueshmëria e saj ka ngecur në mënyrë të vazhdueshme, edhe për çështje politike, por edhe për çështje ndoshta logjistike e kështu me radhë”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë po ashtu se gjatë dhjetë vjetëve të fundit numri i nxënësve në Kosovë është zvogëluar për më shumë se 30 për qind, ose 120 mijë nxënës më pak, ndërsa numri i mësimdhënësve nuk ka pësuar ndryshime të mëdha.

“Kjo u vërejt edhe së fundmi me grantin specifik për arsim, ku shumë komuna kishin numër më të madh të mësimdhënësve krahasuar me nxënësit brenda sistemit arsimor përkatës. Prandaj, politika për pensionimin e parakohshëm vullnetar synon ta adresojë ose, të paktën, ta përafrojë pak këtë numër”, ka thënë ai.

Megjithatë, Ahmeti ka theksuar se gjatë hartimit të projektligjit për pensionimin e parakohshëm vullnetar duhet të kihet kujdes, pasi sistemi arsimor përballet edhe me mungesë të mësimdhënësve në profile të caktuara, veçanërisht në shkencat natyrore.

Peticioni për shpëtimin e arsimit ka nisur pas publikimit të rezultateve të dobëta të Kosovës në testin PISA 2022. Në këtë nismë janë përfshirë gjithsej 15 organizata të shoqërisë civile.