Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Asnjë gjobë për prindërit që rrezikojnë shëndetin publik me mosvaksinim të fëmijëve për fruth

fruthi

Pavarësisht 381 rasteve me fruth të regjistruara këtë vit, deri tash, Ministria e Shëndetësisë nuk ka shqiptuar asnjë gjobë ndaj prindërve që nuk i kanë vaksinuar fëmijët, ndonëse një masë e tillë parashihet me ligj. Deri tash, Inspektorati Sanitar ka gjobitur vetëm dy institucione parashkollore

Pavarësisht numrit të madh të rasteve me fruth, Ministria e Shëndetësisë ka shqiptuar vetëm dy gjoba ndaj institucioneve parashkollore, ndërsa asnjë masë ndëshkuese nuk është marrë ndaj prindërve që nuk e kanë respektuar kalendarin e vaksinimit.

Vaksinimi i fëmijëve është obligim ligjor, i përcaktuar me Ligjin për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse. Bazuar në aktet nënligjore dhe qarkoret informative, vaksinimi është kusht i domosdoshëm për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore dhe shkollore.

Ligji parasheh edhe masa ndëshkuese, përfshirë gjobën deri në 200 euro për prindërit që nuk e respektojnë kalendarin e vaksinimit.

Por, nga Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), në një përgjigje për KOHËN, kanë thënë se masat i kanë ndërmarrë vetëm ndaj subjekteve shkollore, ndërsa trajtimi i rasteve të prindërve që nuk i vaksinojnë fëmijët është përgjegjësi e institucioneve të tjera.

“Inspektorati Sanitar, në kuadër të kompetencave ligjore, ka ndërmarrë veprime inspektuese ndaj subjekteve përgjegjëse për zbatimin e masave sanitare dhe epidemiologjike. Sa i përket inicimit të procedurave kundërvajtëse ndaj prindërve për mosrespektimin e obligimit ligjor të vaksinimit, kjo çështje duhet të trajtohet nga organet kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ndarjen e përgjegjësive institucionale. Po. Inspektorati Sanitar ka shqiptuar gjoba ndaj dy subjekteve, për shkak të mosrespektimit të urdhëresave të lëshuara nga Inspektorati Sanitar dhe moszbatimit të masave të kërkuara brenda afateve të përcaktuara”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të përditësuara më 22 tetor, në vend janë regjistruar 381 raste me fruth.

Sipas IKSHPK-së, Prishtina është komuna më e prekur me raste të fruthit.

“Komunat me numrin më të madh të rasteve të regjistruara janë:  Prishtina, Fushë-Kosova, Ferizaji, Drenasi dhe Obiliqi. Por, raste janë regjistruar deri më tani në 26 komuna. Grupmoshat më e prekur është 12-24 muaj me 108 raste, pastaj ajo 1-6 vjeç me 78 raste, grupmosha 6-12 muaj me 60 raste, etj. Rreth 84% të rasteve të konfirmuara janë trajtuar në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën Infektive të QKUK-së, ku ka pasur raste që janë trajtuar edhe në Njësitë e Kujdesit Intensiv për shkak të seriozitetit të sëmundjes”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Këtë vit, numri i rasteve me fruth është katërfishuar krahasuar me vitin e kaluar.

Vaksina MMR është vaksinë e kombinuar që mbron nga tri sëmundje ngjitëse: fruthi, rubeola dhe shytat.