Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sunak: Qesharak pretendimi i Putinit se lufta në Ukrainë është rezultat i zgjerimit të NATO-s

Rishi Sunak

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka reaguar pas intervistës së presidentit rus Vladimir Putin.

Sunak e quajti “qartësisht qesharak” pretendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, se lufta në Ukrainë është rezultat i zgjerimit të NATO-s.

“Rusia kreu një pushtim të paligjshëm dhe të paprovokuar të Ukrainës. Jam krenar që Britania e Madhe ka qëndruar fuqishëm me Ukrainën që nga fillimi. Ne nuk mund ta lëmë këtë lloj sjelljeje të shkojë pa kontroll. Kjo ndikon në të gjithë sigurinë tonë”, ka thënë kryeministri britanik.

“Ne e kemi parë tashmë ndikimin që kjo luftë kishte në faturat e energjisë të të gjithëve. Dhe kjo është arsyeja pse ne po punojmë ngushtë, jo vetëm me SHBA-në, por me aleatët në mbarë botën, për t'i dhënë Ukrainës mbështetjen që i nevojitet për aq kohë sa duhet për të zmbrapsur pushtimin rus”, ka shtuar Sunak.

Putini në intervistën e së enjtes me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson ka ripërsëritur se pushtimi i tij në Ukrainë, të cilin Kievi dhe aleatët e tij e kanë përshkruar si një akt të paprovokuar agresioni, ishte i nevojshëm për të mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainë dhe po ashtu për të parandaluar shtetin që, sipas tij, po paraqiste kërcënim për Rusinë duke iu bashkuar NATO-s.