Kremlini ka thënë të dielën se paralajmërimet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për një sulm të mundshëm nga Rusia, ishin të papërgjegjshme dhe tregonin se ai nuk e kupton vërtet shkatërrimin e shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore.
Rusia ka pushtuar Ukrainën në shkurt të vitit 2022, pas tetë vjetësh luftimesh midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase në Donbas. Lufta ka shkaktuar përballjen më të madhe midis Moskës dhe Perëndimit që nga thellësitë e Luftës së Ftohtë.
Rutte, në një fjalim në Berlin të enjten, ka thënë se NATO-ja duhet të jetë "e përgatitur për shkallën e luftës që duruan gjyshërit ose stërgjyshërit tanë" dhe ka shtuar se "ne jemi objektivi i radhës i Rusisë".
Kremlini ka hedhur poshtë vazhdimisht pretendimet e NATO-s dhe disa udhëheqësve evropianë se planifikon të sulmojë një anëtar të NATO-s si "marrëzi" të përdorura nga udhëheqësit evropianë për të nxitur histeri anti-ruse.
"Kjo duket si një deklaratë nga një përfaqësues i një brezi që ka arritur të harrojë se si ishte në të vërtetë Lufta e Dytë Botërore", ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
"Ato nuk kanë asnjë kuptim, dhe për fat të keq, Rutte, duke bërë deklarata të tilla të papërgjegjshme, thjesht nuk e kupton se për çfarë po flet”, ka shtuar ai.
Udhëheqësit evropianë dhe ukrainasë thonë se nëse Rusia fiton në Ukrainë, atëherë ajo do të sulmojë NATO-n. Moska thotë se zgjerimi i NATO-s në lindje është një kërcënim për Rusinë. Rusia ka thënë se nuk ka ndërmend të sulmojë NATO-n.
Presidenti Vladimir Putin, ka thënë në fillim të këtij muaji se Rusia nuk dëshiron një luftë me Evropën, por nëse Evropa e fillon një të tillë, atëherë Rusia është gati dhe se një luftë e tillë do të përfundojë shumë shpejt.