Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar të mërkurën se Moska do të përpiqet të zgjerojë përparimet e saj në Ukrainë nëse Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë refuzojnë kërkesat e Kremlinit në bisedimet e paqes.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të kërkojë zgjerimin e një "zone sigurie neutrale" atje.
Putini ka deklaruar se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë me mjete diplomatike ose ushtarake.
"Së pari, qëllimet e operacionit ushtarak special padyshim do të arrihen. Ne do të preferonim ta bënim këtë dhe t'i adresonim shkaqet rrënjësore të konfliktit përmes diplomacisë", ka deklaruar Putini.
"Nëse pala kundërshtare dhe patronët e saj të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake. Detyra e krijimit dhe zgjerimit të një zone sigurie tampon do të trajtohet gjithashtu vazhdimisht”, ka shtuar ai.
Nga rajonet e Ukrainës që Rusia i ka pretenduar si territor të vetin, ajo aktualisht kontrollon Krimenë, rreth 90% të rajonit të Donbasit dhe 75% të Khersonit dhe Zaporizhzhisë.
Për më tepër, Rusia mban disa territore në rajonet ngjitur të Kharkiv, Sumy, Dnipropetrovsk dhe Mykolaiv.
Komentet e Putinit sinjalizuan se Moska do të kërkonte përfitime të mëtejshme në disa nga këto fronte.
Teksa lufta ndodhet në një moment kyç, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përpiqet fort për një marrëveshje të shpejtë paqeje, Putini ka thënë se Rusia po përparon në të gjitha frontet.
Por ministri i tij i Mbrojtjes, Andrei Belousov, e ka pranuar se forcat ukrainase po përpiqeshin të rimerrnin kontrollin e qytetit verilindor të Kupiansk - një përpjekje që ai tha se nuk po korr sukses.
Ukraina ka thënë të mërkurën se kishte marrë 90% të qytetit, të cilin Rusia tha se e kishte pushtuar në nëntor.
Putini po ashtu ka thënë se njerëzit në Evropë po indoktrinoheshin me frikën e një lufte me Rusinë dhe akuzoi udhëheqësit e tyre se po nxisin histeri.
"E kam deklaruar vazhdimisht: kjo është një gënjeshtër, një absurditet, një absurditet i pastër në lidhje me ndonjë kërcënim imagjinar rus ndaj vendeve evropiane. Por kjo po bëhet mjaft qëllimisht", ka thënë ai.
Putini i quan liderët evropianë “derra të vegjël”
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka sulmuar udhëheqësit evropianë se i ishin bashkuar administratës së ish-presidentit amerikan, Joe Biden, duke shpresuar në përfitime nga kolapsi i Rusisë.
Duke folur në një takim vjetor me ministrinë e Mbrojtjes, Putini i ka quajtur liderët evropianë “derra të vegjël”.
"Derrat e vegjël të Evropës iu bashkuan menjëherë punës së administratës së mëparshme amerikane, duke shpresuar të përfitonin nga kolapsi i vendit tonë", ka thënë Putini.
Komentet e ashpra të Putinit erdhën teksa zyrtarët amerikanë thonë se bisedimet e mëparshme me Ukrainën në Berlin kanë zgjidhur rreth 90% të çështjeve më të vështira.
Por mbeten dyshime të mëdha nëse udhëheqësi rus është i përgatitur të bëjë kompromis mbi kërkesat e tij gjithëpërfshirëse.
Putini ka këmbëngulur vazhdimisht që Kievi të lëshojë pjesët e mbetura të rajonit lindor të Donbasit që janë ende nën kontrollin e Ukrainës - një kërkesë që Shtëpia e Bardhë herë pas here duket se e mbështet, por që Ukraina e ka refuzuar kategorikisht.
Moska gjithashtu ka kërkuar kufizime të rrepta mbi ushtrinë e Ukrainës, një ndalim për trupat perëndimore në territorin e Ukrainës dhe një fund të mbështetjes ushtarake perëndimore.
Fjalët e ashpra të Putinit për liderët evropianë, vijnë pak ditë pasi ata u kritikuan edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Në një intervistë javën e kaluar për “Politico” Trumpi ka thënë se liderët evropianë vetëm flasin dhe nuk bëjnë asgjë në lidhje me Ukrainën.