Tre anëtarë të ekuipazhit janë vrarë në një sulm të dyshuar nga Houthit, të mbështetur nga Irani, ndaj një anijeje të vogël mallrash në ngushticën Bab el-Mandeb të martën, ndërsa një anije konteinerësh u godit nga një raketë në brigjet e Pakistanit, në një sulm të dyshuar amerikan, kanë thënë burime për Reuters.
Nëse konfirmohen, viktimat në bordin e anijes Tihamah, në pronësi egjiptiane, do të ishin të parët të vrarë në një sulm të Houthive ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i luftës me Iranin më 28 shkurt. Houthit nuk e kanë marrë përsipër sulmin.
Dy shtetas pakistanezë dhe një shtetas indonezian janë vrarë, kanë thënë burime nga Jemeni. Pas sulmit, ekuipazhi ka humbur kontrollin e anijes dhe më pas është afruar roja bregdetare jemenase, kanë shtuar burimet.
Më pas, edhe forcat jemenase janë sulmuar, ka thënë grupi britanik i menaxhimit të rrezikut detar Vanguard.
Houthit kanë shpallur një embargo detare ndaj Arabisë Saudite në Detin e Kuq më 20 korrik, në përgjigje të asaj që e përshkruan si një rrethim saudit. Riadi mohon se Jemeni është nën rrethim.
Incidenti ka ndodhur ndërsa anija ishte e ankoruar në verilindje të ishullit Perim, në Jemen, ka thënë grupi britanik i sigurisë detare Ambrey.
Franca pritet të dërgojë disa anije luftarake në Detin e Kuq
Ndërkohë, anija e kontejinerëve Vela Nova, me flamur të Panamasë, është goditur nga një raketë në një sulm në brigjet e Pakistanit, ndërsa po lundronte drejt Gjirit të Omanit, kanë thënë burime të sigurisë detare për Reuters.
The Wall Street Journal ka raportuar se anija është sulmuar nga një helikopter amerikan. Komanda Qendrore e SHBA-së nuk ka bërë ndonjë koment lidhur me sulmin.