Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Rebelët Houthi të Jemenit thonë se kanë sulmuar dy cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq, ndërsa SHBA-ja ka kryer natën e 12-të radhazi të sulmeve ndaj Iranit.

Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar dy persona janë vrarë nga sulmet amerikane të së mërkurës, ndërsa një cisternë ka marrë flakë pas një shpërthimi në një korridor detar të minuar në Ngushticën e Hormuzit.

Përpara valës së fundit të sulmeve, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të shkatërronte një urë ose një termocentral iranian sa herë që Irani do të sulmonte ndonjë anije në ngushticë, si dhe do të "merrej" me Houthit nëse ata do të bllokonin Detin e Kuq.

Nëse konfirmohet, sulmi i Houthive do të ishte i pari që kur grupi i mbështetur nga Irani ka shpallur një "embargo detare" ndaj Arabisë Saudite.

Houthit kanë thënë se anijet e sulmuara ishin Encelia dhe Layla.

Zëdhënësi ushtarak i grupit, Yahya Saree, ka thënë se anijet janë goditur me dronë dhe raketa, duke i akuzuar ato se kishin shkelur bllokadën detare të vendosur nga grupi.

Saree ka shtuar se Houthit do të vazhdojnë operacionet e tyre detare dhe do të vijojnë "zbatimin e formulës 'rrethim për rrethim'".

Agjencia shtetërore saudite e lajmeve (SPA) ka konfirmuar herët të enjten se Encelia u godit "teksa po lundronte në Detin e Kuq", duke shkaktuar një zjarr në pjesën e përparme të anijes.

Duke cituar një burim zyrtar anonim nga Autoriteti i Përgjithshëm i Transportit, agjencia e ka cilësuar sulmin si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Sipas raportimeve, i gjithë ekuipazhi është i sigurt.

Ndërkohë, sulmi ndaj cisternës Layla ende nuk është konfirmuar.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka njoftuar ndërkohë se në orën 21:30 me kohën lokale kishte nisur sulme me urdhër të presidentit Trump "për të dobësuar më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar marinarët civilë dhe anijet tregtare që kalojnë në ujërat rajonale".

Sipas CENTCOM-it, objektivat e sulmeve ishin "caqe ushtarake iraniane, përfshirë kapacitetet detare, depot e raketave dhe dronëve, pozicionet bregdetare të mbikëqyrjes dhe sistemet e mbrojtjes ajrore."

Kuvajti, Jordania dhe Bahrejni kanë raportuar pak më vonë se po reagonin ndaj kërcënimeve ajrore, përpara se ushtria iraniane të deklaronte se kishte goditur objektiva amerikane në të tria këto vende, sipas agjencisë AFP.

Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar gjithashtu se dy persona u vranë nga sulmet amerikane në jug të vendit, pranë kufirit me Irakun.

Shtrenjtohet nafta, arrin në mbi 100 dollarë për fuçi për herë të parë pas dy muajsh

1 muaj më parë / 23 kor 2026 15:45
Nafta

Çmimi i naftës ka kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi për herë të parë që nga muaji maj, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kërcënon të shtrëngojë më tej furnizimet globale.

Nafta bruto "Brent", që shërben si referencë globale, është rritur me më shumë se 6% të enjten, duke prekur për pak kohë nivelin prej 100,14 dollarësh për fuçi, përpara se të pësonte një rënie të lehtë. 

Shqetësimet lidhur me furnizimin global me naftë janë rishfaqur pasi rebelët Houthi të Jemenit vunë në shënjestër anije saudite në Detin e Kuq, duke kërcënuar bllokimin e një rruge jetike për eksportet e naftës së Arabisë Saudite.

Sipas analistëve, mbretëria ka dërguar rreth 4 deri në 5 milionë fuçi naftë përmes Detit të Kuq dhe ngushticës Bab al-Mandeb, duke shmangur kështu ngushticën e Hormuzit. Kjo arterie thelbësore për tregun global të naftës është tashmë në rrezik, pasi rebelët Houthi pretendojnë se kanë goditur dy cisterna saudite të enjten.

Çmimi i naftës "Brent" është rritur me rreth 27 dollarë për fuçi gjatë këtij muaji, një shtim prej më shumë se një të tretës së vlerës së mëparshme. Hera e fundit që çmimi qëndroi mbi nivelin e 100 dollarëve ishte më 22 maj, sipas të dhënave të "FactSet".

Trumpi paralajmëron Houthit pas sulmit ndaj anijeve saudite

1 muaj më parë / 23 kor 2026 14:48
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar të enjten një paralajmërim për Houthit, grupin jemen të mbështetur nga Irani, pas sulmit të tyre ndaj dy anijeve saudite të naftës në Detin e Kuq.

Në një postim në Truth Social, Trumpi ka thënë se do ta mbajë përgjegjës Iranin për çdo veprim të Houthive. 

“Nëse ata e përsërisin këtë veprim, SHBA-ja do ta mbajë Iranin përgjegjës, duke qenë se Houthitë janë një forcë përfaqësuese e Iranit, dhe do të ushtrohet një ndëshkim i rëndë ushtarak ndaj Iranit dhe, natyrisht, ndaj vetë Houthive. Këta më kanë zhgënjyer thellë, pasi deri më tani kishin vepruar në mënyrë shumë profesionale dhe të mençur”, ka shkruar Trumpi. 

Sulmi i cisternave të naftës ka ardhur vetëm tri ditë pasi rebelët Houthi kishin shpallur bllokadë ndaj anijeve saudite në Detin e Kuq.

Kërcënimi i tyre ndaj anijeve në atë pjesë rrezikon të hapë një front të ri në luftën e rikthyer SHBA-Iran, pas marrëveshjes së arritur në qershor. 

Prodhuesit e naftës në Lindjen e Mesme me plane për të shmangur Ngushticën e Hormuzit

1 muaj më parë / 23 kor 2026 11:06
Hormuz

Photo: Associated Press

Para luftës në Iran, rreth 15 milionë fuçi naftë kalonte çdo ditë përmes Ngushticës së Hormuzit. Tani, për shkak të rrezikut në këtë rrugë detare, vendet e Gjirit po investojnë miliarda dollarë për të ndërtuar tubacione të reja që do ta transportojnë naftën drejt porteve në Detin e Kuq, Gjirin e Omanit dhe Kanalin e Suezit, duke shmangur Hormuzin.

Sipas zyrtarëve dhe analistëve, të paktën shtatë projekte të mëdha tubacionesh janë në ndërtim ose në planifikim.

Megjithatë, edhe këto rrugë nuk janë plotësisht të sigurta. Rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, kanë vendosur embargo ndaj anijeve të lidhura me Arabinë Saudite që kalojnë në Detin e Kuq. Pavarësisht kësaj, vendet e Gjirit duan të zvogëlojnë varësinë nga Ngushtica e Hormuzit.
Arabia Saudite dhe Emiratet po zgjerojnë rrjetin e tubacioneve

Arabia Saudite përdor prej vitesh tubacionin Lindje–Perëndim, i ndërtuar në vitet 1980, i cili transporton naftën nga lindja e vendit deri në portin Yanbu në Detin e Kuq. Prej andej nafta dërgohet me anije drejt tregjeve ndërkombëtare.

Ndërkohë, kompania shtetërore e Abu Dhabit po ndërton një tubacion të ri prej 300 kilometrash, me vlerë 3 miliardë dollarë, drejt portit të Fujairah në Gjirin e Omanit. Projekti pritet të rrisë eksportet me mbi 1.2 milionë fuçi në ditë dhe të përfundojë gjatë vitit 2027.

Iraku kërkon rrugë të reja eksporti

Iraku, i cili varet shumë nga Ngushtica e Hormuzit, po përshpejton planet për tubacione të reja.

Një projekt parashikon transportimin e naftës nga Basra drejt portit turk të Ceyhanit në Mesdhe, me një degë që do të shkojë deri në portin sirian të Baniyas.

Një tjetër projekt, i diskutuar me Jordaninë, synon ndërtimin e një tubacioni nga Basra në portin e Aqabas, prej nga nafta do të eksportohej përmes Detit të Kuq.

Rrugët e reja kanë edhe sfida

Sipas bankës Goldman Sachs, projektet e reja mund të ndikojnë që të transportohen deri në 7.3 milionë fuçi naftë në ditë deri në fund të vitit 2028, duke mbuluar rreth 60% të eksporteve të Gjirit që dikur kalonin përmes Hormuzit.

Megjithatë, këto rrugë do ta bëjnë transportin më të gjatë dhe më të kushtueshëm. Nafta që dërgohet në Mesdhe për tregjet aziatike duhet të kalojë rreth skajit jugor të Afrikës, duke rritur kohën dhe shpenzimet.

Edhe tubacionet mbeten të rrezikuara nga sulmet. Në vitin 2019, rebelët Houthi goditën me dron tubacionin Lindje–Perëndim të Arabisë Saudite, duke ndërprerë përkohësisht funksionimin e tij.

Një tjetër sfidë e madhe mbetet gazi natyror i lëngshëm (LNG). Para luftës, rreth 20% e furnizimit botëror, kryesisht nga Katari, kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit dhe ende nuk ka një alternativë të plotë për këtë rrugë.