Botë

Sulmet ruse lënë dy rajone kryesore të Ukrainës pa energji elektrike

Ukraine

Foto: Associated Press

Sulmet ruse kanë lënë rajonet juglindore të Ukrainës, Dnipropetrovsk dhe Zaporizhzhia, pothuajse tërësisht pa energji, ka njoftuar ministria e Energjisë e vendit të mërkurën në mbrëmje.

Infrastruktura kritike po “funksionon me energji rezervë”, thuhet në një deklaratë në Telegram, ndërsa zyrtarët kanë shtuar se furnizimet me ujë dhe me internet gjithashtu janë ndërprerë.

Së fundmi, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, me qëllim paralizimin e furnizimeve me energji gjatë dimrit të ashpër.

“Sistemi energjetik i Ukrainës është nën sulmet e armikut çdo ditë, dhe punonjësit e energjisë po operojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira për t’i ofruar njerëzve dritë dhe ngrohje”, ka shkruar kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, në Telegram.

“Kushtet e përkeqësuara të motit ushtrojnë presion shtesë mbi infrastrukturën kritike”, ka shtuar ajo.

Ndërprerjet e energjisë dhe ngrohjes kanë ndodhur ndërsa temperaturat bien ndjeshëm.

“Punimet e emergjencës për rivendosjen e energjisë në rajonet e prekur nga sulmi do të fillojnë menjëherë sapo situata e sigurisë të lejojë”, ka njoftuar kompania shtetërore e energjisë, Ukrenergo, në Telegram.

“Detyra kryesore e punonjësve të energjisë është të rivendosin infrastrukturën kritike”, ka shtuar kompania.