Ukraina ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë së vendit, me një fokus të veçantë në Kiev, pasi sulmet e vazhdueshme ruse vazhdojnë të lënë mijëra banorë pa energji.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka akuzuar Moskën se po shfrytëzon qëllimisht kushtet e ashpra të dimrit si pjesë të strategjisë së saj të luftës, pasi temperaturat gjatë natës të së mërkurës në Kiev kanë rënë në rreth -20 gradë celsius.
Deklarata vjen ndërsa homologu amerikan i Zelenskyt, Donald Trump, ka akuzuar presidentin ukrainas se po pengon përpjekjet për të siguruar një marrëveshje paqeje për t'i dhënë fund gati katër vjetëve të luftës me Rusinë.
Ai i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters të mërkurën se Zelensky "është më pak i gatshëm të bëjë një marrëveshje" sesa presidenti rus, Vladimir Putin.
Kur është pyetur pse bisedimet e paqes nuk e kanë zgjidhur ende konfliktin, Trump u përgjigj: "Zelensky".
Të dy udhëheqësit pritet të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër javën e ardhshme, megjithëse Trumpi ka deklaruar se nuk ka ende plane për një takim zyrtar.
Në javët e fundit, sulmet ruse ndaj Kievit kanë lënë mijëra shtëpi pa energji të rregullt, ngrohje ose ujë të rrjedhshëm. Pas një nate veçanërisht të rëndë sulmesh me raketa dhe dronë javën e kaluar, 70% e kryeqytetit ka mbetur pa energji elektrike për disa orë.
Pas një takimi të posaçëm të kabinetit të mërkurën, Zelensky ka thënë se do të ngrihet një grup pune 24 orë në ditë për të riparuar dëmet e shkaktuara nga sulmet ruse dhe përkeqësimi i kushteve të motit.
Ai ka thënë se masat e reja do të përfshijnë sigurimin e pajisjeve dhe burimeve jetësore të energjisë nga jashtë për të zëvendësuar instalimet e dëmtuara.