Botë

Rusia sulmon objektet e gazit të Ukrainës, një ditë para takimit Trump-Zelensky

Ukraine, lufta, sulmet ruse

Një sulm masiv me dron dhe raketa ruse ka goditur objektet e gazit në Ukrainën lindore, një ditë para se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të udhëtojë për në Ëashington, për një takim me presidentin amerikan, Donald Trump për të diskutuar furnizimin e SHBA-së me raketa lundrimi “Tomahawk” për Kievin.

Rusia ka lëshuar qindra dronë, dhjetëra raketa, si dhe bomba rrëshqitëse herët të enjten, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në tetë rajone.

Zyrtarët ukrainas thonë se bombardimi në shkallë të gjerë kishte për synim rrjetin energjetik të Ukrainës.

“Rusia ka lëshuar më shumë se 300 dronë sulmi dhe 37 raketa, një numër i konsiderueshëm i tyre balistike, kundër Ukrainës”, ka shkruar Zelensky në X. 

“Këtë vjeshtë, rusët do të përdorin çdo ditë të vetme për të goditur infrastrukturën tonë energjetike”, ka shtuar ai.

Zelensky ka thënë se sulmet kanë goditur rajonet e Chernihiv, Kharkiv, Poltava, Sumy dhe Vinnytsia.

Një nga objektet e goditura ishte uzina e përpunimit të gazit Shebelinka në rajonin e Kharkiv, ku tym i zi shihej pas sulmit teksa zjarret vazhdojnë të jenë të mëdha.