Rusia ka lëshuar rreth 450 dronë me rreze të gjatë veprimi dhe 70 raketa të llojeve të ndryshme ndaj Ukrainës gjatë natës, në një nga sulmet më të mëdha të fundit, bëri të ditur të martën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sulmi ndodhi vetëm një ditë përpara se delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë të merrnin pjesë në bisedime të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, me synimin për t’i dhënë fund luftës së plotë që Rusia nisi pothuajse katër vjet më parë, raporton AP.
Sipas Zelenskyt, bombardimet goditën të paktën pesë rajone të Ukrainës dhe patën cak kryesisht rrjetin energjetik, si pjesë e fushatës së vazhdueshme të Moskës për t’i lënë civilët pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë gjatë dimrit. Zyrtarët raportuan se të paktën 10 persona u plagosën.
“Për Rusinë, shfrytëzimi i ditëve më të ftohta të dimrit për të terrorizuar njerëzit është më i rëndësishëm se diplomacia”, tha Zelenskyy. Gjatë natës, temperaturat në Kiev ranë në minus 20 gradë Celsius, ndërsa të martën qëndruan në minus 16 gradë.
Presidenti ukrainas u bëri thirrje aleatëve të dërgojnë më shumë pajisje për mbrojtjen ajrore dhe të rrisin “presionin maksimal” ndaj Rusisë për t’i dhënë fund pushtimit të plotë, i cili filloi më 24 shkurt 2022. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndodhej të martën për një vizitë zyrtare në Kiev, në mbështetje të përpjekjeve të Ukrainës në luftë.
Zyrtarët kanë përshkruar bisedimet e fundit mes delegacioneve ruse dhe ukrainase si konstruktive.
Megjithatë, pas një viti përpjekjesh, administrata Trump ende nuk ka arritur një përparim vendimtar për çështje kyç, si kontrolli mbi territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia, dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse për paqen duket ende e largët. Bisedimet në Abu Dhabi janë planifikuar të zhvillohen të mërkurën dhe të enjten.