Qyteti i Kievit është përballur me valë sulmesh masive me raketa e dronë që ushtria ruse i ndërmori gjatë natës. Një person ka mbetur i vrarë dhe 27 të tjerë janë plagosur, teksa infrastruktura civile dhe ajo energjetike e qytetit ka pësuar dëme të mëdha. E këto sulme, Rusia i ka ndërmarrë veç një ditë para se delegacionet nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të takohen në Floridë për arritjen e marrëveshjes për paqe
Ushtria ruse e ka goditur kryeqytetin e Ukrainës me raketa dhe me dronë, duke e lënë të vrarë të paktën një person dhe të plagosur edhe 27 të tjerë, vetëm një ditë para nisjes së bisedimeve mes delegacionit ukrainas dhe atij amerikan për arritjen e paqes.
Kievi është përballur me sulme ajrore të fuqishme për disa orë radhazi.
Për këtë sulm, përfaqësues të forcave ajrore ukrainase kanë njoftuar se Rusia ka përdorur 519 dronë dhe 40 raketa.
E presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se caku kryesor i sulmeve ka qenë infrastruktura energjetike dhe ajo civile, teksa e ka akuzuar Moskën zyrtare se nuk është e interesuar për t’i dhënë fund luftës dhe për të arritur paqe.
“Sot Rusia tregoi se si u përgjigjet bisedimeve për paqe mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës. Ajo kreu sulme masive ndaj Ukrainës, pikërisht në momentin kur po shkojmë drejt negociatave për paqe. Kjo është, pra, përgjigjja e Rusisë”, ka deklaruar presidenti Zelensky.
Sulmin në Kiev e ka konfirmuar edhe Ministria ruse e Mbrojtjes.
Në këtë ministri kanë bërë të ditur të shtunën se sulm masiv i orëve të natës është kryer me armë precize që kanë rreze të gjatë veprimi e që lansohen nga toka, ajri dhe deti. Në sulm, sipas kësaj ministrie, janë përdorur edhe raketa hipersonike Kinzhal si dhe dronë të ndryshëm për ta vënë në shënjestër infrastrukturën energjetike ukrainase.
Sulmi i natës midis të premtes e të shtunës ka nxitur mobilizimin edhe të Polonisë, që është shtet fqinj me Ukrainën.
Autoritetet në këtë shtet kanë aktivizuar aeroplanë luftarakë dhe kanë mbyllur për disa orë aeroportet e Lublinit dhe Rzeszowit, afër kufirit me Ukrainën.
Aeroportet janë rihapur më vonë, pasi agjencia e aviacionit civil polak “Pansa” ka njoftuar se nuk është evidentuar ndonjë rast i shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë.
Sulmet ruse kanë ndodhur në kohën kur presidenti ukrainas është nisur drejt Floridës për të zhvilluar bisedime me homologun e tij amerikan, Donald Trump, për paqen në Ukrainë.
Zelensky ka bërë të ditur se me Trumpin pritet që të diskutojë për çështje që lidhen me garancitë e sigurisë për Ukrainën si dhe për territoret në Donetsk e Zaporizhzhia.
Shtëpia e Bardhë, e cila nuk bëri asnjë njoftim zyrtar për takimin, publikoi një agjendë që tregonte se Zelensky dhe Trump do të takoheshin në Floridë pasditen e 28 dhjetorit.
“Mendoj se ata duan ta bëjnë tani, dhe mendoj se Rusia dëshiron ta bëjë. Por sa herë që njëra palë dëshiron ta bëjë, tjetra nuk dëshiron”, u citua Trump të ketë thënë për “New York Post” më 26 dhjetor.