Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia ka mbledhur 50,000 trupa pranë rajonit verior të Ukrainës Sumy, por ka shtuar se Kievi ka ndërmarrë hapa për të parandaluar Moskën që të kryejë një ofensivë në shkallë të gjerë atje.
Mbledhja e forcave nga Rusia atje duket si përgatitje për një ofensivë verore në Ukrainë, dhe teksa Kievi pret që Moska të paraqesë një memorandum që përcakton kushtet e saj për të vazhduar me bisedimet e armëpushimit, raporton Reuters.
Sumy shtrihet përtej kufirit nga rajoni Kursk i Rusisë, në të cilin forcat ukrainase kanë nisur një inkursion verën e kaluar dhe e kanë mbajtur atë pjesë për disa muaj, megjithëse pretendon se ende mban disa zona atje.
“Forcat e tyre më të mëdha dhe më të forta janë aktualisht në frontin e Kurskut”, u ka thënë Zelensky gazetarëve të martën.
"Për të shtyrë trupat tona nga rajoni i Kurskut dhe për të përgatitur veprime sulmuese kundër rajonit Sumy”, ka shtuar ai.
Putini ka thënë se dëshiron një "zonë tampon" përgjatë kufirit të Rusisë me Ukrainën. Ndërkaq, Zelensky ka thënë se besonte se Rusia dëshironte një zonë tampon prej rreth 10 kilometrash.
Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer nga 1.000 robër secila pas një takimi të delegacioneve të të dy vendeve në Stamboll gati dy javë më parë, gjatë të cilit nuk u arrit marrëveshje për armëpushim të kërkuar nga Ukraina, SHBA-ja dhe Evropa.
Zelenskiy ka thënë se ai i sheh Turqinë, Vatikanin dhe Zvicrën si vendet më realiste për negociatat e mëtejshme me Rusinë. Ai ka njoftuar se interesi për të pritur bisedimet ishte shprehur edhe nga Malta, si dhe nga vende të paspecifikuara afrikane.
Reuters ka raportuar më parë se Moska nuk e sheh Vatikanin si një vend serioz për bisedime.
Ndërkohë, Zelensky ka njoftuar se ai do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të G7-s pasi është ftuar nga kryeministri kanadez, Mark Carney, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e rradhës të grupit.