Botë

Ramaswamy largohet nga ekipi i Muskut për Departamentin për Efikasitet

Vivek Ramaswamy

Vivek Ramaswamy është larguar nga Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë në SHBA, ku do të shërbente nën miliarderin amerikan, Elon Musk gjatë administratës së Donald Trumpit.

AP-ja ka raportuar të hënën se Ramaswamy s’do të jetë pjesë e administratës, pasi ka synime të garojë për guvernator të Ohios. Kjo është konfirmuar disa orë pasi Trumpi mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë.

“Vivek Ramasëamy luajti një rol kritik duke na ndihmuar të krijojmë DOGE. Ai synon të kandidojë për postin e zgjedhur së shpejti, gjë që kërkon që ai të qëndrojë jashtë DOGE, bazuar në strukturën që kemi shpallur sot. Ne e falënderojmë pa masë për kontributin e tij gjatë 2 muajve të fundit dhe presim që ai të luajë një rol jetik për ta bërë Amerikën sërish të madhe”, ka deklaruar zëdhënësja Anna Kelly.

Trump e kishte krijuar këtë departament me qëllim që t’i zhdukë burokracitë qeveritare dhe të “zvogëlojë numrin e rregulloreve të tepërta”. Kërkesë e Trumpit ka qenë që të shkurtohen edhe shpenzimet e kota dhe të ristrukturohen agjencitë federale.

Trump ishte shprehur se ky departament i ri do të realizojë ëndrrat e kamotshme të republikanëve dhe do të ofrojë “këshilla dhe udhëzime nga jashtë Qeverisë”.

Roli i Elon Musk do të jetë joformal, gjë që ia mundëson atij të qëndrojë në krye të kompanisë për makinat elektrike, Tesla, të rrjetit social X dhe të kompanisë për udhëtime hapësinore, SpaceX.