Emiratet e Bashkuara Arabe mund të jenë vendi i cili mirëpret një takim midis udhëheqësve rusë dhe amerikanë, ka thënë të enjten presidenti rus, Vladimir Putin.
"Kemi shumë miq që janë të gatshëm të na ndihmojnë dhe të organizojnë një ngjarje të këtij lloji. Një nga miqtë është presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky vend do të ishte një nga vendet shumë të përshtatshme”, ka thënë Putin pas një takimi të enjten me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Një zyrtar i Kremlinit ka thënë më parë se një takim mund të zhvillohet që javën e ardhshme, megjithëse nuk është konfirmuar asnjë datë.
Një takim midis Putinit dhe Trumpit do të ishte samiti i parë SHBA-Rusi që kur ish-presidenti, Joe Biden u takua me udhëheqësin e Kremlinit në vitin 2021.
Nuk ka asnjë garanci se takimi Trump-Putin do të çojë në fund të luftimeve, pasi Moska dhe Kievi mbeten shumë larg kushteve të tyre për paqe.
Putini hedh poshtë mundësinë e një takimi trepalësh me Zelenskyn
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë mundësinë për një takim trepalësh me Zelenskyn.
Duke folur për gazetarët të enjten në Moskë, pas një takimi me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, Putini ka thënë se nuk janë pjekur kushtet për këtë.
"E kam thënë vazhdimisht se nuk kam asgjë kundër kësaj mundësie, por duhet të krijohen kushte të caktuara për këtë. Mjerisht, ne jemi shumë larg krijimit të kushteve të tilla”, ka thënë ai.
Tri runde bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll nuk kanë arritur ta sjellin luftën më afër fundit, tre vjet e gjysmë pasi Moska nisi pushtimin e saj të plotë.
Parakushtet ushtarake dhe politike të Moskës për paqe mbeten të papranueshme për Kievin dhe partnerët e saj perëndimorë.
Kërkesat ruse përfshijnë që Ukraina të bëhet një shtet neutral, të zvogëlojë ndjeshëm ushtrinë e saj dhe të braktisë aspiratat e saj për në NATO.
Rusia gjithashtu kërkon njohjen ndërkombëtare të rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës, si dhe të Krimesë së aneksuar.