Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media, ka bërë të ditur se para dy ditësh e kanë pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Çitaku ka thënë se këtë draft ua ka prezantuar edhe Grupit Strategjik për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë një mbledhjeje të cilën e kanë mbajtur gjatë ditë së djeshme.
“Para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje në mbledhjen e radhës të Grupit Strategjik ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit. Qëllimi i inicativës tonë mbetet i pandryshuar, të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë, me mbikqyrje insititucionale duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit. Në asnjë moment nuk kemi synuar t’i ikim drejtësisë apo ta pengojmë atë. Përkundrazi, kërkojmë që drejtësia të ushtrohet në përputhje me parimet mbi të cilat ajo vetë është ndërtuar”, ka thënë Çitaku
Ajo ka thënë gjithashtu se kjo iniciativë, do të do të procedohet shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës dhe se po synohet që të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.
Por, para procedimit në Kuvend, Çitaku ka thënë se do të zhvillojë disa takime.
Edhe
Çitaku: Me Kurtin u dakorduam që javën e ardhshme të vazhdojmë iniciativën ligjore për Specialen
“Iniciativa e re ligjore do të procedohet në Kuvendin e Kosovës shumë shpejt. Para procedimit do t’i takojë të gjithë drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Disa prej tyre i kam takuar. Dua që së bashku të diskutojmë për peshën e këtij uniteti dhe përgjegjësinë e përbashkët në këtë betejë shtetërore. Do t’i takojë edhe shoqatat e dala nga lufta, përfaqësues të OVL-UÇK-së. Gjithashtu do të takohem edhe me organizata të shoqërisë civile, ekspertë juridikë, akademikë, diplomatë dhe zyrtarë të vendeve perëndimore partnere. Synimi ynë është që iniciativa e re ligjore të miratohet në të dyja leximet, gjatë muajit dhjetor”, ka deklaruar Çitaku.
Çitaku ka thënë gjithashtu se në mbledhjen e Grupit Strategjik kur u prezantua drafti në fjalë, është miratuar edhe strategjia për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në instancën e Apelit.
Ajo e ka quajtur të rëndësishëm unitetin politik e institucional që është arritur për mbrojtjen e tyre.
“Dje në mbledhje e Grupit Strategjik, kemi miratuar strategjinë për mbrojtjen e çlirimtarëve në Apel. Kjo strategji është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Tashmë kemi një dokument të përbashkët mbi bazën e të cilit shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces. Më lejoni që sot ta vë theksin të uniteti politik dhe institucional që kemi arritur, uniteti për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur Çitaku.
Ajo ka thënë se është takuar me shefin e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe e ka njoftuar për draftin e ri të Ligjit të Speciales.
Edhe
Çitaku: Ka unitet politik për Ligjin për Specialen, UÇK-ja na bashkon me Lëvizjen Vetëvendosje
Çitaku përsëriti se e ka mirëpritur gatishmërinë e BE-së për t’u konsultuar për në procesin e amendamentimit të Ligjit në fjalë.
“E kam mirëpritur gatishmërinë e tyre. E ftoj BE-në t’i fillojmë këto konsultime, jemi të gatshëm nga sot”, shtoi Çitaku.