Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se në takimin me kryeministrin Albin Kurti janë dakorduar që javën e ardhshme të vazhdojnë me iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara.
Ajo ka thënë se Projektligji do ta ketë për bazë tekstin që Kuvendi e miratoi në dy lexime në tetor.
“Mbi atë tekst do t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht dhe për t’u dhënë çlirimtarëve tanë mbështetje konkrete shtetërore. Me Kurtin jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet të bëhen. Dallimet kanë qenë te procedura parlamentare. Sot u pajtuam edhe për rrugën që do të ndjekim. Nismën e re ligjore do ta ndërmarrim menjëherë javën tjetër, me propozimet tona konkrete”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë se i pranon kritikat për mënyrën se si kanë ecur gjërat deri më sot.
“Në emër të bashkëpartiakëve të mi, u kërkoj ndjesë të gjithë atyre që, për shkak të vonesave dhe paqartësive, janë shqetësuar sinqerisht se kjo nismë mund të mbetet përgjysmë. Sot jap zotimin tim se këtë proces do ta çojmë deri në fund. Projektligjin do ta çojmë në Kuvend për votim, në mënyrë që të jetë më i fortë dhe më i zbatueshëm. Grupi punues shtetëror do ta vazhdojë punën për strategjinë për Apel”, ka thënë ajo.
Çitaku ka shtuar se mbështetja për çlirimtarët duhet të dëshmohet përmes punës së përbashkët në Kuvend.
Edhe
Shtyhet seanca ku pritej rishqyrtimi i Ligjit për Specialen
“Ligji që miratohet në Kuvend dhe që ka zotimin e Qeverisë për zbatim nuk mbetet vetëm një copë letër e miratuar në Kuvendin e Kosovës. Me Kurtin jemi dakorduar edhe për një varg hapash të tjerë që do t’i ndërmarrim në kuadër të institucioneve. Do të rezervohem të flas për detajet. Ekspertët tashmë janë duke punuar dhe janë në fazën finale të përgatitjes së tekstit, i cili javën e ardhshme do të vijë në Kuvend për miratim”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se kanë pasur diskutime me diplomatë e përfaqësues të BE-së që të kontribuojnë në Kuvend, ndërkaq për Specialen ka thënë se nuk negociojnë për këtë çështje, pasi sipas saj ata kanë devijuar nga mandati të cilin e kanë marrë.
“Ne kemi pasur diskutime me diplomatë dhe përfaqësues të BE-së, të cilët edhe sot i ftoj të bëhen pjesë e diskutimeve. Jo vetëm ata, por të gjitha palët e interesuara, që të kontribuojnë në këtë proces. Me Gjykatën Speciale nuk negociojmë për këtë çështje. Ajo është organ i themeluar nga Kuvendi, institucion që ka devijuar në plotni nga mandati që deputetët i kanë dhënë në Kuvend dhe që ka rezultuar me dy aktgjykime të turpshme, të kurdisura dhe të pabazuara në faktet e ofruara në sallën e gjykimit”, ka thënë ajo.
-
Çitaku pas takimit me Kurtin: S’kemi dallim në përmbajtje për Ligjin për Specialen, vetëm në procedurë
-
PDK-ja kërkon të votohet sërish Ligji aktual për Specialen, zotohet ta ndryshojë brenda dy javësh
-
Rruga e Ligjit për Specialen e paqartë pas kthimit të tij në Kuvend
-
PDK-ja u përgjigjet kritikave për kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend