Aktorja britanike Florence Pugh ka ndarë disa këshilla për vajzat që ëndërrojnë të bëhen pjesë e industrisë së filmit, duke theksuar se rruga drejt suksesit në Hollywood nuk është aspak e lehtë.
Aktorja 30-vjeçare, e cila tashmë është një nga emrat më të njohur të kinematografisë, këshillon të rejat të besojnë te vetja dhe të mos presin që të tjerët t’i mbështesin në çdo hap.
“Fatkeqësisht, do të jetë e vështirë, por duhet të besoni te vetja. Duhet të jeni zëri dhe mbështetësja më e madhe e vetes suaj”, u shpreh Pugh në një intervistë për Extra.
Ajo ka shtuar se është e rëndësishme të rrethohesh nga njerëz që të duan, të besojnë te aftësitë e tua dhe të të mbështesin.
Së shpejti, aktorja do të nisë një periudhë mjaft të ngarkuar promovimi për dy produksione të mëdha, “Dune: Part III” dhe “Avengers: Doomsday”.
“Kam përpara dy nga turnetë më të ‘çmendura’ promovuese. Do të merrem me ‘Marvel’ dhe ‘Dune’ në të njëjtën kohë. Do të ketë shumë dalje publike, veshje elegante, intervista dhe festime. Shpresoj që publiku t’i pëlqejnë filmat”, ka thënë ajo.
Pugh ka folur edhe më parë për mënyrën se si aktrimi e ndihmon të ndihet e lirë dhe e sigurt në trupin e saj. Në një intervistë për revistën ELLE, ajo ka theksuar se nuk përpiqet të fshehë papërsosmëritë fizike para kamerave.
“Kur aktroj, ndihem rehat në trupin tim. Nëse kamera tregon palat e barkut kur ulem apo celulitin në kofshë, atëherë kështu është trupi im. Unë ia besoj gjithçka artit. Për mua, aktrimi ka qenë gjithmonë një përvojë çliruese”, u shpreh aktorja.
Ajo ka pranuar gjithashtu se me kalimin e viteve ka mësuar të mos ndikohet nga kritikat e të tjerëve dhe të përqendrohet te personi që dëshiron të jetë.
“Është shumë e rëndësishme të gjesh paqe me atë që dëshiron të përfaqësosh dhe me personin që dëshiron të jesh. Kur e arrin këtë, kritikat e njerëzve që nuk të kuptojnë nuk kanë më aq rëndësi”, ka përfunduar Pugh.