Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja u përgjigjet kritikave për kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

Vlora Citaku

Pas arsyetimeve që një ditë më herët ka dhënë Grupi Parlamentar i PDK-së, për kthimin në Kuvend të Ligjit të ndryshuar për Dhomat e Specializuara ka folur edhe u.d. e kryetarit të këtij subjekti, Vlora Çitaku. Ajo është zotuar se ky ligj do të rishqyrtohet brenda katër javësh dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara. Por, këtë nismë dhe veprimin e presidentes, që me kërkesë të PDK-së ta rikthejë Ligjin për Specialen në Kuvend e ka vlerësuar të dëmshëm shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri

PDK-ja nuk është tërhequr nga ligji për Dhomat e Specializuara, ndërsa kthimi në Kuvend ka për qëllim që të forcohet baza juridike dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë, ka thënë ushtruesja e detyrës së kryetares të Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, të premten.

Reagimi i Çitakut vjen një ditë pasi PDK-ja i kërkoi presidentes Justina Shiroka-Pula ta kthejë në Kuvend ndryshimet që u miratuan më 6 tetor në Ligjin për Specialen, dhe reagimet që pasuan pas këtij vendimi.

Çitaku është zotuar se ky ligj do të rishqyrtohet brenda katër javësh dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara.

“Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë! Po e them që në fillim, pa lënë vend për dilema: brenda katër javësh, ligji do të rishqyrtohet në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara. Ky është zotimi ynë dhe do t’i qëndrojmë deri në fund. E kuptoj shqetësimin e atyre që e kanë mbështetur sinqerisht këtë ligj dhe i mirëpresim kritikat e bazuara”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka thënë se një gjë duhet të jetë e qartë, që PDK-ja nuk është tërhequr nga ligji.

Edhe Çitaku: Për t’u hequr çdo mëdyshje në Ligjin për Specialen, i dhamë edhe katër javë kohë Arbëri Çitaku: Për t’u hequr çdo mëdyshje në Ligjin për Specialen, i dhamë edhe katër javë kohë

“Por një gjë duhet të jetë e qartë: kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij - dhe as nuk e zbeh atë. Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam. Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dhamë procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”.

Sipas saj, për PDK-në nuk ka temë tjetër përveç jetësimit të këtij ligji për të cilin thotë se janë plotësisht të bashkuar.

“Për PDK-në dhe brenda PDK-së, nuk ka asnjë temë tjetër përveç jetësimit të këtij ligji, për të cilin jemi plotësisht të bashkuar dhe të vendosur. Qytetarëve që protestuan, mbështetësve tanë dhe të gjithë atyre që besuan në këtë nismë u them: zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Para se Çitaku të arsyetojë vendimin, veprimi i PDK-së është kritikuar sërish nga përfaqësues të Aleancës. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka deklaruar se ende nuk e kanë parë letrën e presidentes, por sipas tij, ajo se çfarë ka ndodhur është kthim mbrapa.

“Kthimin e Ligjit në Kuvend, ne si Aleancë e kemi pa si një veprim jashtëzakonisht të dëmshëm, joserioz, veprim i cili në esencë ka dëmtuar kauzën. Më shumë jemi të habitur qysh Qeveria po lëshon lot krokodili, gjoja se gjet diçka, një gabim, përderisa dy javë ditë e ka pasur në Qeveri dhe nuk ka dhënë asnjë koment. Nuk do të lejojmë dëmtimin e kauzës së luftës”, ka deklaruar Gjini.

Në diskutimet në komisionin për Legjislacion, Tahiri kërkoi që të ftohet për raportim Avokati i Popullit lidhur me raportin që, sipas tij, evidenton shkelje serioze nga ana e Gjykatës Speciale.

Gjithashtu ai kërkoi që të mos përsëriten situata kur Qeveria e Kosovës në ditën e fundit e kthen ligjin dhe komisioni vihet në presion.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka theksuar se veprimi i së enjtes nënkupton refuzimin që ligji të hyjë në fuqi dhe se për rivotimin e tij në Kuvend duhen 61 vota ose do të kthehet sërish në pikën fillestare.

“Shpresoj që sponsorisuesit ta nisin sa ma parë dhe ta kalojmë sa më parë në Kuvend. Nuk i kemi parë ndryshimet, qëndrimi ynë ka qenë përkrahës edhe herën e kaluar”, ka theksuar Rrustemi.

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme që Kuvendi të organizojë procedurë konsultimi, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian.

“Me theks të veçantë çështja e rishikimit të vuajtjes së dënimit, që në rastin konkret është e përcaktuar në mënyrë dicidive, së paku dy paragrafë të amendamentit kushtetues, ndërsa në ligj është përcaktuar ndryshe. Pastaj ka mundësi edhe diskutim edhe sa i përket çështjes së mandatit të Dhomave të Gjykatës Kushtetuese për vlerësim të ligjshmërisë së këtij akti, përfshirë edhe juridiksionin e atij Ligji të Gjykatës Speciale”, ka thënë Bajraktari.

Të rëndësishme, avokati e quajti faktin që Ligji i ndryshuar parasheh një mekanizëm mbikëqyrës, e cila ka qenë një prej mangësive në ligjin bazik.

Pas kërkesës së PDK-së, e cila kishte iniciuar e hartuar Ligjin, presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer atë në Kuvend për shqyrtim.

Edhe Çfarë kërkon PDK-ja të ndryshojë në Ligjin për Specialen Arbëri Çfarë kërkon PDK-ja të ndryshojë në Ligjin për Specialen

“Në arsyetimin e vendimit, presidentja ka bërë të ditur se ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të krerëve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara”, thuhet në njoftimin Presidencës së Kosovës.

Për nevojën e ndryshimeve në ndryshimet e Ligjit të Dhomave të Specializuara ka dhënë sqarimin edhe Grupi Parlamentar i PDK-së. Sipas komunikatës së këtij grupi, synimi është plotësimi i disa dispozitave dhe adresimi i elementeve që mund ta pengojnë zbatimin e ligjit.

“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë, të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në kërkesën e PDK-së për presidenten.

Në komunikatë, PDK-ja është shprehur krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ka marrë, por aty është theksuar se kërkesa për rishqyrtim nuk nënkupton nisjen e procesit nga e para.

“Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme. Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet tutje në komunikatën e PDK-së.

PDK-ja ka ftuar ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuuar, përfshirë Avokatin e Popullit, t’i paraqesin propozimet e tyre konkrete dhe ka thënë se pret që, ashtu siç u miratua më 6 tetor 2026, ta miratojmë sërish brenda 4 javësh.

“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Por, ndryshe nga Grupi Parlamentar i PDK-së, deputeti i këtij subjekti, Përparim Gruda, në një postim në Facebook ka thënë se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Gruda ka thënë se do të preferonte që sot të fliste për zbatim të ligjit, e jo rihapjen e debatit me të.

“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij. Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”, ka shkruar Gruda.  

Ai ka thënë se nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin u hartua ligji.

“Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj. Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim”, ka shkruar Gruda.

Për kthimin e dokumentit në Kuvend ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Edhe Me kërkesë të PDK-së, ndryshimet në Ligjin për Specialen rikthehen në Kuvend Arbëri Me kërkesë të PDK-së, ndryshimet në Ligjin për Specialen rikthehen në Kuvend

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini? Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik! LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës. Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë!”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku. Ligjvënësit e kësaj partie dhe ata të Listës Serbe nuk e kanë votuar ligjin për Specialen.

Ndryshimet në Ligjin për Specialen, të propozuara nga PDK-ja, janë miratuar më 6 tetor, si pjesë e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka përfshirë edhe zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të vendit, me çka janë shmangur zgjedhjet e reja.