Botë

Putini mund të kushtëzojë fundin e luftës në Ukrainë me ndaljen e zgjerimit të NATO-s

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshijnë një kërkesë që liderët perëndimorë të zotohen me shkrim për të ndaluar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe për të hequr një pjesë të sanksioneve ndaj Rusisë, kanë thënë për Reuters tri burime ruse të afërta me çështjen e negociatave.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë vazhdimisht se dëshiron t'i japë fund konfliktit më vdekjeprurës evropian që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka treguar zhgënjim në rritje me Putinin ditët e fundit, duke paralajmëruar të martën se lideri rus po “luan me zjarrin” pasi po refuzon të përfshihet në bisedimet e armëpushimit me Kievin, teksa forcat e tij i kanë intensifikuar sulmet mbi Ukrainë.

Pasi ka folur me Trumpin për më shumë se dy orë javën e kaluar përmes telefonit, Putini ka thënë se ai ka rënë dakord të punonte për një memorandum që do të përcaktonte konturat e një marrëveshjeje paqeje, duke përfshirë kohën e një armëpushimi. Rusia thotë se aktualisht është duke hartuar një version të memorandumit dhe nuk mund të vlerësojë se sa kohë do të zgjasë.

Ndërkaq, Kievi dhe qeveritë evropiane kanë akuzuar Moskën për ngecje teksa trupat e saj po përparojnë në Ukrainën lindore.

“Putini është gati të bëjë paqe, por jo me çdo çmim”, ka thënë një burim i lartë rus me njohuri për mendimin e nivelit të lartë të Kremlinit, i cili ka folur në kushte anonimiteti.

Tri burimet ruse kanë thënë se Putini dëshiron një premtim “të shkruar” nga fuqitë e mëdha perëndimore për të mos zgjeruar aleancën e NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja drejt lindjes - stenografi për përjashtimin zyrtar të anëtarësimit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, të tria ish-republika sovjetike.

Rusia gjithashtu dëshiron që Ukraina të jetë neutrale, disa sanksione perëndimore të hiqen, një zgjidhje për çështjen e aseteve të ngrira sovrane ruse në Perëndim dhe mbrojtje për rusishtfolësit në Ukrainë, kanë thënë tri burimet.

Burimi i parë ka thënë se nëse Putini e kupton se nuk është në gjendje të arrijë një marrëveshje paqeje me kushtet e tij, ai do të kërkojë t'u tregojë ukrainasve dhe evropianëve me fitoret ushtarake se “paqja nesër do të jetë edhe më e dhimbshme”.

Kremlini nuk i është përgjigjur një kërkese për koment mbi raportimin e Reutersit. Putini dhe zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se çdo marrëveshje paqeje duhet të adresojë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit.

Kievi ka thënë vazhdimisht se Rusisë nuk duhet t’i jepet e drejta e vetos mbi aspiratat e saj për t'u bashkuar me aleancën e NATO-s. Ukraina thotë se ka nevojë që Perëndimi t'i japë garanci të fortë sigurie për të penguar çdo sulm të ardhshëm rus.

NATO-ja ka thënë gjithashtu në të kaluarën se nuk do të ndryshojë politikën e saj të “dyerve të hapura” vetëm sepse e kërkon Moska.

Rusia aktualisht kontrollon pak më pak se një të pestën e Ukrainës. Megjithëse përparimet ruse janë përshpejtuar gjatë vitit të fundit, lufta po i kushton shtrenjtë si Rusisë ashtu edhe Ukrainës për sa i përket viktimave dhe shpenzimeve ushtarake.

Ndërkohë Trumpi, i cili krenohet me marrëdhëniet miqësore me Putinin dhe ka shprehur besimin se lideri rus dëshiron paqen, ka paralajmëruar se Washingtoni mund të vendosë sanksione të mëtejshme nëse Moska vonon përpjekjet për të gjetur një zgjidhje. Në mediat sociale të dielën, Trumpi u shpreh se Putini është “çmendur totalisht”, pas një sulmi masiv ajror në Ukrainë javën e kaluar.