Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë presidentit të SHBA-së, Donald Trump se është gati të përdorë partneritetin e ngushtë të Rusisë me Iranin për të ndihmuar në negociatat mbi programin bërthamor të Iranit, ka njoftuar Kremlini të enjten.
Trumpi ka thënë pas një telefonate me Putinin të mërkurën se koha po mbaronte për Iranin për të marrë një vendim mbi programin e tij bërthamor dhe se ai besonte se Putini ishte dakord që Republika Islamike nuk duhet të ketë armë bërthamore, raporton Reuters.
Putini, sipas Trumpit, ka ofruar që ai të marrë pjesë në diskutimet me Iranin dhe se "ai ndoshta mund të jetë i dobishëm në përfundimin e shpejtë të kësaj çështjeje".
"Ne kemi marrëdhënie të ngushta partneriteti me Teheranin dhe, natyrisht, presidenti Putin ka thënë se jemi gati të përdorim këtë nivel partneriteti me Teheranin për të lehtësuar dhe kontribuar në negociatat që po zhvillohen për të zgjidhur çështjen e dosjes bërthamore iraniane", u ka thënë gazetarëve të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
I pyetur se kur Putini mund t'i bashkohet negociatave, Peskov ka thënë se dialogu me Teheranin dhe Uashingtonin ka vazhduar përmes kanaleve të ndryshme.
"Presidenti do të jetë në gjendje të përfshihet kur të jetë e nevojshme", ka shtuar Peskov.