Botë

Përmbytjet në Libi, parashihet që numri i të vdekurve të arrijë deri 20 mijë

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar pas përmbytjeve që goditën Libinë të dielën.

Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Egjipti, Turqia e Katari kanë arritur në qytetin Derna, që është goditur më së rëndi nga përmbytjet, raporton BBC.

Kryebashkiaku i Dernas, Abdulenam Al-Ghaithi, ka thënë për “al-Arabiya TV” se numri i të vdekurve mund të arrijë deri në 20 mijë. Ai ka thënë se këto përllogaritje po i bëjnë nga numri i qarqeve që janë përmbytur plotësisht pas shkatërrimit të dy digave.

Mbi 5000 trupa janë gjetur tashmë, ndërsa së paku 10 mijë vazhdojnë të mbesin të zhdukur.

Ndërkohë është paralajmëruar se brenga e radhës mund të jetë përhapja e ndonjë sëmundje.

Kryeministri i Libisë, Abdul Hamit Al-Dabaiba ka vendosur ta pezullojë mësimin për dhjetë ditë, në shenjë solidariteti.