Botë

Shkon në mbi 5300 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Libi

Mbi 5300 trupa të pajetë janë gjetur në qytetin Derna në Libi që u godit rëndë nga përmbytjet, ka thënë një ministër i administratës lindore të Libisë, raporton agjencia Reuters.

Hichem Abu Chkiouat, që është ministër i Aviacionit Civil, ka thënë se numri i të vdekurve pritet të rritet, madje edhe të dyfishohet.

Image

“Ne kemi numëruar deri më tash mbi 5300 trupa dhe numri me shumë gjasë do të rritet dukshëm dhe ndoshta edhe do të dyfishohet, pasi numri i të zhdukurve vazhdon të jetë në mijëra”, tha Chkiouat.

Ai ka thënë se “deti në mënyrë të vazhdueshme po nxjerr trupa”, ndërsa ka shtuar se rindërtimi i qytetit do të kushtojë miliarda dollarë.

Vërshimet u shkaktuan si pasojë reshjeve të shumta të shiut që solli stuhia “Daniel” në fundjavë.

Inxhinierët kanë treguar për BBC se me shumë gjasë ka dështuar fillimisht një digë rreth 12 kilometra nga Derna, duke e dërguar ujin drejt një lugine, e më pas dështoi edhe diga e dytë afër qytetit, kështu që pati përmbytje të mëdha.

Image
Qyteti Derna në hartë (BBC)

Ndërkohë sipas Agjencisë së OKB-së për Migrim, numri i të zhvendosurve është të paktën 34 mijë.

“Qyteti i Dernas u mbulua nga valë 7 metra të larta që shkatërruan [do gjë. Numri i të vdekurve është jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Yann Fridez, kreu i delegacionit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Libi.

Qytete të tjera të përfshira në përmbytje janë edhe Susa, Marj dhe Shahatt, sipas qeverisë.

VIDEO: