Botë

Netanyahu zotohet t’i rrëzojë akuzat për korrupsion ndaj tij

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të martën që të rrëzojë akuzat për korrupsion kundër tij, teksa nisi dëshminë në procesin gjyqësor kundër tij.

Ai është bërë lideri i parë izraelit që ndiqet për krim, raporton AP. 

Dëshmia është një goditje tjetër për udhëheqësin më jetëgjatë të Izraelit, i cili gjithashtu përballet me një urdhërarresti ndërkombëtar për krime të dyshuara lufte, në luftën e Izraelit në Gaza.

Në dëshminë e tij hapëse në një sallë gjyqi të mbushur plot në Tel Aviv, Netanyahu argumentoi se ai ishte një udhëheqës i përkushtuar dhe një mbrojtës i interesave të Izraelit, teksa i ka cilësuar akuzat kundër tij si një "pikë në det" në krahasim me sfidat me të cilat është përballur për mbrojtjen e vendit të tij. 

Por akuzat kanë nxitur ndarjet në Izrael dhe kanë komplikuar trashëgiminë e Netanyahut, e cila gjithashtu është njollosur nga lufta në Gaza dhe izolimi ndërkombëtar në rritje me të cilin përballet Izraeli për shkak të saj.

"Kam pritur tetë vjet për këtë moment, për të thënë të vërtetën”, është shprehur Netanyahu, teksa krahë tij qëndronte djali i tij, Avner, dhe disa anëtarë të partisë së tij.

Netanyahu do të përgjigjet gjatë paraqitjeve të tij në gjykatë për akuzat për mashtrim, shkelje të besimit dhe pranim ryshfeti në tri raste të veçanta.

Ai akuzohet se ka pranuar puro dhe shampanjë në vlerë prej dhjetëra mijëra dollarësh nga një producent miliarder hollivudian, në këmbim të ndihmës për interesa personale dhe biznesi. Ai akuzohet gjithashtu për promovimin e rregullave të favorshme për manjatë të medias, në këmbim të mbulimit të favorshëm të tij dhe familjes së tij.

Netanyahu, 75 vjeç, mohon keqbërjen, duke thënë se akuzat janë një "gjueti shtrigash" të orkestruara nga një media armiqësore dhe një sistem ligjor i njëanshëm, për të rrëzuar sundimin e tij të gjatë. 

Dëshmia e tij mbulon vite të tëra skandalesh që janë sjellë rresh tij dhe familjes së tij, të cilët kanë fituar një reputacion se gëzojnë një mënyrë jetese luksoze në kurriz të taksapaguesve.