Zyra e Prokurorit të Shtetit në Izrael e ka refuzuar kërkesën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për ta shtyrë të paktën për dy javë seancën gjyqësore kundër tij, ka transmetuar The Guardian.
Kërkesa, që u dorëzua të enjten nga avokati i Netanyahut, Amit Hadad, ka argumentuar se liderit izraelit i duhet të përqendrohet në çështjet e sigurisë kombëtare dhe marrëdhëniet diplomatike, si rezultat i luftës së Izraelit me Iranin dhe fushatës së pandërprerë ushtarake në Rripin e Gazës.
Në përgjigjen e tij, prokurori i shtetit ka thënë se “arsyet e përgjithshme të detajuara në kërkesë nuk mund të justifikojnë anulimin dyjavor të seancave dëgjimore”.
Netanyahu po ballafaqohet me organet e drejtësisë në lidhje me tri akuza, për korrupsion, mashtrim dhe shkelje të besimit. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat e parashtruara kundër tij, tek ka thënë se ato janë të motivuara politikisht.
Udhëheqësi izraelit ka qenë në gjyq për një kohë të gjatë, saktësisht nga maji i vitit 2020, pjesërisht sepse ka përdorur taktika të shumta për të zvarritur procesin ligjor.