Botë

Netanyahu sot në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi shton presionin për armëpushim në Gazë

Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Pas 21 muajsh lufte, po shtohen shpresat për një njoftim të ri për armëpushim në Gazë, ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të hënën në Uashington.

Trumpi më parë u ka thënë gazetarëve se ishte "shumë i vendosur" me Netanyahun për t'i dhënë fund konfliktit dhe se mendonte se "do të kemi një marrëveshje" këtë javë.

"Ne po punojmë për të arritur marrëveshjen që është diskutuar, sipas kushteve që kemi rënë dakord", ka thënë kryeministri veteran izraelit para se të hipte në aeroplanin e tij. 

"Unë besoj se biseda me presidentin Trump mund të ndihmojë patjetër në avancimin e këtij rezultati, të cilin të gjithë e shpresojmë”, ka shtuar ai.

Bisedimet indirekte midis Izraelit dhe Hamasit mbi një propozim të sponsorizuar nga SHBA-ja për një armëpushim 60-ditor dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve, kanë rifilluar në Katar të dielën në mbrëmje.

Pavarësisht kësaj, është ende e paqartë nëse dallimet kryesore që kanë penguar vazhdimisht një marrëveshje mund të kapërcehen.

Mirëpo optimizëm po shpreshin palestinezët e lodhur që jetojnë në kushte të vështira mes bombardimeve të vazhdueshme të përditshme izraelite dhe familjeve të shqetësuara të pengjeve izraelite që mbahen ende nga Hamasi. 

"Nuk dëshiroj armëpushim, por një ndalesë të plotë të çdo lufte. Sinqerisht, kam frikë se pas 60 ditësh lufta do të rifillojë", ka thënë Nabil Abu Dayah, i cili ka ikur nga Beit Lahia në Gazën veriore në qytetin e Gazës me fëmijët dhe nipërit e mbesat e tij.

“U lodhëm aq shumë nga zhvendosja, sa u lodhëm nga etja dhe uria, nga jetesa në tenda. Kur bëhet fjalë për nevojat e jetës, nuk kemi asnjë”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, të shtunën në mbrëmje, u zhvilluan tubime të mëdha në Tel Aviv duke i kërkuar qeverisë së

Izraelit të nënshkruante një marrëveshje për të kthyer rreth 50 pengje nga Gaza, deri në 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.