Botë

Trumpi dhe Netanyahu takohen për të dytën herë brenda dy ditësh për Gazën

Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë të mërkurën se takimi i tij të martën vonë me presidentin e SHBA-së Donald Trump u përqendrua në lirimin e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës.

Netanyahu ka theksuar vendosmërinë e tij për të "eliminuar" aftësitë ushtarake dhe qeveritare të Hamasit.

Netanyahu ka thënë në X se udhëheqësit diskutuan gjithashtu pasojat dhe mundësitë e "fitores së madhe të arritura ndaj Iranit", pas një lufte ajrore muajin e kaluar në të cilën Shtetet e Bashkuara iu bashkuan sulmeve izraelite mbi vendet bërthamore të Republikës Islamike.

Netanyahu po bën vizitën e tij të tretë në SHBA që kur Trumpu ka marrë detyrën më 20 janar dhe më parë u kishte thënë gazetarëve se, ndërsa nuk mendonte se fushata e Izraelit në enklavën palestineze ka mbaruar, negociatorët "sigurisht po punojnë" për një armëpushim.

Trumpi ka pritur në takim Netanyahun të martën për herë të dytë brenda dy ditësh për të diskutuar situatën në Gazë, teksa i dërguari i presidentit për Lindjen e Mesme, Steve Ëitkoff ka treguar se Izraeli dhe Hamasi po i afroheshin një marrëveshjeje armëpushimi pas gati dy vitesh lufte.

Witkoff ka thënë se numri i çështjeve që pengojnë Izraelin dhe Hamasin të arrijnë një marrëveshje ka rënë nga katër në një, duke shprehur optimizëm për një marrëveshje të përkohshme armëpushimi deri në fund të javës.

Witkoff u ka thënë gazetarëve në një takim të kabinetit se marrëveshja e parashikuar do të përfshinte një armëpushim 60-ditor, me lirimin e dhjetë pengjeve të gjalla dhe nëntë individëve të vdekur.