Ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, u shtri në spital për shkak të problemeve shëndetësore, raportoi të dielën mediumi kroat “Index”.
Lajmin e bëri të ditur djali i tij, Darko Mlladiq, duke njoftuar se ish-komandanti serb, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës, është në gjendje të rëndë.
“Një ekip mjekësh në Serbi është gati të shkojë për ta parë atë, por ende nuk e dimë nëse lejohet. Ne do të kërkojmë leje që këta mjekë ta ekzaminojnë atë”, deklaroi Mlladiq. Haga u pyet për gjendjen e të dënuarit, por tha se nuk komenton mbi gjendjen shëndetësore, pasi "bëhet fjalë për informacion konfidencial”.
Ratko Mlladiq u shpall fajtor për gjenocidin mbi Srebrenicë, ku forcat serbe i vranë 8,372 burra e fëmijë, më 11 korrik të 1995-s.
Dënimi me burgim të përjetshëm, 79-vjeçarit iu rikonfirmua në qershor të 2021-s.