Mesazhe glorifikuese për kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, janë shfaqur në fotografi që paraqesin edhe veriun e Kosovës. Fotografi të publikuara në kanale serbe në Telegram kanë shfaqur murale me portretin e Mlladiqit, e në një mesazh madje i është bërë thirrje që “t’u bëjë të fala” tre personave që u vranë në sulmin terrorist në Banjskë.
“Përshëndetja vëllezërit gjeneral, Bojanin, Stefain dhe Igorin”, është thënë në një nga mesazhet që kanë qarkulluar në këto grupe.

Pos këtij mesazhi, fotografi të tjera që paraqitnin përshëndetje nga veriu për Mlladiqin janë shoqëruar me porosinë “Ruajeni Kosovën”.
“Gjeneral, përshëndetja e fundit. Mesazh për terroristët: të gjithë jemi ushtarët e Ratkos”, thuhet në njërin nga postimet.
Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Mlladiq, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë gjatë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, u varros në Beograd të hënën. Ceremonia u shoqërua me të shtëna nderi nga ushtria dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës. Në prani të pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, udhëheqësve politikë të Republikës Sërpska dhe zyrtarëve të Serbisë, të pranishmit brohoritën emrin e Mlladiqit dhe e përcollën arkivolin e tij me duartrokitje. Por për Bashkimin Evropian, ky nuk ishte varrim me nderime të larta shtetërore. Tek të martën, zyrtarët më të lartë evropianë e kanë cilësuar shokues ceremoninë e varrimit të të dënuarit për gjenocid.
Stefan Nedeljkoviq, Igor Milenkoviq dhe Bojan Mijailoviq ishin tre terroristët e vrarë në sulmin terrorist në shtator të 2024-s në Banjskë. Nga ky sulm pati humbur jetën rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku.