Sot janë bërë tre vjet që prej kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. E edhe pse kanë kaluar tre vjet dhe përgjegjësinë e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të akuzuar janë ende të lirë në Serbi.
Në prill të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin e ka dënuar me 30 vjet burgim.
Në aktgjykimin e plotë Gjykata Themelore në Prishtinë ngjarjen e 24 shtatorit të vitit 2023, e ka përshkruar si një grup të organizuar, me lidhje të mëhershme mes pjesëtarëve, i armatosur, me mjete logjistike dhe me pozicione të përcaktuara për aksionin.
Për sulmin e tre vjetëve më parë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni bashkë me anëtarët Rrahman Beqiri e Donikë Shala-Abdyli, ka konstatuar se përgjegjësia e secilit prej tre të dënuarve, është përcaktuar veçmas, duke u mbështetur në provat konkrete për praninë, dijeninë, dashjen, komunikimet, pajisjet, sendet personale dhe kontributin e tyre në veprimin e përbashkët të grupit.
Tre të dënuarit janë në mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast, përfshirë edhe Radoiçiqin, që ishte lënë i lirë pasi ishte marrë në pyetje në Beograd në tetor të 2023-s.
Për Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar, pasi janë në arrati.
Veprat penale në aktakuzë: “Kryerja e veprës terroriste” “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” “Shpërlarja e parave” e “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i sulmuesve ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.
Krahas 3 të dënuarve në shkallë të parë, autoritetet kanë arrestuar këtë muaj edhe një serb, si të dyshuar për përfshirje në sulmin në Banjskë.
E të enjten ka reaguar kryeministri Albin Kurti në 3-vjetorin e sulmit. Ai theksoi se grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar "që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës".
Zmbrapsja e grupit, shtoi Kurti, ndodhiu falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve të rendit e të inteligjencës, politikë e publikë.
"Në Banjskë, në vendin e sulmit aty, rruga sot mban emrin e heroit Afrim Bunjaku. Ndërkaq, tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë herdokur. Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar", shkroi ai.
Grupi i organizuar pati vrarë Bunjakun në një pritë në veri, ndërsa gjatë ikjes ishte mobilizuar në fshatin Banjskë. Pamjet nga droni kanë kapur fytyrat e dhjetëra të dyshuarve, ndërsa ato kanë shfaqur edhe momentet e ikjes së tyre.
Policia e Kosovës pati kapur arsenal armësh pas sulmit për të cilin Kosova e akuzon direkt shtetin e Serbisë.
Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Por që të gjithë ndodhen në Serbi.
Madje ish-nënkryetari i Listës Serbe ishte lënë i lirë pasi ishte marrë në pyetje në Beograd në tetor të 2023-s.
Shqipëria në trevjetorin e Banjskës: S’ka normalizim pa llogaridhënie
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë ka bërë thirrje që përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe që të zbardhen të gjitha rrethanat lidhur me rastin.
Në një reagim në rrjete sociale, MPJ-ja e Shqipërisë ka thënë se pa llogaridhënie për këtë rast nuk mund të ketë normalizim të raporteve.
“Sulmi në Banjskë nuk ishte vetëm një sulm ndaj forcave policore të Kosovës. Ishte sulm kundër sundimit të ligjit, kundër paqes dhe sigurisë, si dhe kundër përpjekjeve për të ndërtuar stabilitet të qëndrueshëm dhe normalizim në rajon. Lejimi i akteve të tilla pa u ndëshkuar do të dërgonte mesazh të gabuar tek ata që synojnë të minojnë paqen përmes dhunës dhe frikësimit. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë apo normalizim dhe pajtim të mirëfilltë pa llogaridhënie. Drejtësia nuk është, dhe nuk duhet të jetë kurrë, pengesë për dialogun. Përkundrazi, ajo është një nga shtyllat thelbësore mbi të cilat duhet të mbështeten dialogu i besueshëm, besimi reciprok dhe pajtimi afatgjatë”, thuhet në reagim.
Sot janë bërë tre vjet që prej kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. E edhe pse kanë kaluar tre vjet dhe përgjegjësinë e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të akuzuar janë ende të lirë në Serbi.
NATO: Partneriteti me Serbinë duhet të jetë rrugë e dyanshme – kërkojmë përgjegjësi për aktet e dhunës nga viti 2023
Në përvjetorin e tretë të sulmit në Banjskë janë prononcuar edhe nga selia e NATO-s, ku, ngjashëm me Bashkimin Evropian dhe shumë vende anëtare, kanë përsëritur thirrjet për nxjerrjen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për aktet e dhunës nga viti 2023.
Nga kjo Aleancë, një zyrtar i saj ka thënë se NATO vazhdon të bëjë thirrje për llogaridhënie nga kryesit e këtij sulmi.
“Ne kemi qenë të qartë me bashkëbiseduesit tanë në Serbi, në të gjitha nivelet, se sulmet e kryera kundër paqeruajtësve të KFOR-it dhe aktet e tjera të dhunës në Kosovë në vitin 2023 janë të papranueshme. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për llogaridhënie për përgjegjësit. Serbia është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe ne presim që partneriteti ynë të jetë një rrugë e dyanshme. Presim që Serbia të angazhohet me NATO-n dhe fqinjët e saj në mënyrë konstruktive. Lidhur me këtë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbetet në kontakt me presidentin Vuçiq”, ka thënë zyrtari i NATO-s.
“KFOR-i është i pozicionuar mirë për t’u përballur me çfarëdo zhvillimi të sigurisë, përfshirë edhe përmes pranisë së rritur në veri, përmes patrullave, posteve të vëzhgimit dhe angazhimit me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve”.
Ai ka shtuar në fund se NATO është tërësisht e fokusuar në zbatimin e mandatit të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999.
BE-ja në trevjetorin e Banjskës: Serbia të veprojë pa vonesa – keqardhje për mungesë veprimi
Bashkimi Evropian në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë ka rikujtuar se ky ka qenë një kërcënim serioz i sigurisë në rajon dhe ka kërkuar nga Serbia që të veprojë menjëherë për të nxjerrë para drejtësisë kryerësit e këtij sulmi.
Këtë në një përgjigje për KOHËN e ka thënë zëdhënësi i BE-së duke përsëritur se Serbia nuk i ka ndërmarrë akoma hapat e nevojshëm për të nxjerrë para drejtësisë ata që gjenden në territorin e saj.
Po ashtu ky zëdhënës ka thënë se kjo çështje ishte ngritur edhe në takimin e fundit që përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas e ka pasur në New York me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.
“Para tre vjetësh sulmi në Banjskë me 24 shtator 2023 i kryer nga sulmues serb të Kosovës të armatosur ndaj policisë së Kosovës kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon”, ka thënë ky zëdhënës.
“Ky sulm i tmerrshëm mori jetën e një polici dhe la dy të tjerë të plagosur. BE në vazhdimësi ka kërkuar që përgjegjësit për këtë të japin llogari dhe shpreh keqardhje se deri më sot Serbia akoma nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndjekur ata që janë në Serbi me aktakuza përkatëse”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së. “Ne presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë përmes kanaleve të vendosura të asistencës së ndërsjellë. Çështja është në pritje për kohë të gjatë dhe duhet menjëherë të ndiqet nga Serbia. Përfaqësuesja e lartë ka ngritur këtë çështje edhe me presidentin Vuçiç gjatë takimit të tyre në New York”.
PDK përkujton Bunjakun: Emri dhe vepra e tij do të mbeten përherë në historinë e shtetit tonë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës.
Përmes një postimi, PDK-ja ka shkruar se më 24 shtator 2023 Bunjaku u vra nga terroristë serbë gjatë detyrës duke mbrojtur Republikën e Kosovës.
“Sakrifica e tij mbetet dëshmi e guximit, përkushtimit dhe dashurisë për atdheun. Emri dhe vepra e tij do të mbeten përherë në historinë e shtetit tonë. E përjetshme qoftë lavdia për Heroin Afrim Bunjaku!”, thuhet në postimin e PDK-së.
Në nderim të kujtimit për Bunjakun, të enjten janë organizuar disa aktivitete - nisur nga homazhet e vendosjen e gurthemelit të obeliskut për të.
Vendoset në Banjskë gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku
Në trevjetorin e rënies në krye të detyrës është vendosur gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë në Kosovë Milan Radoiçiqin dhe personat e tjerë të përfshirë në sulmin në Banjskë, teksa u bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë për dorëzimin e tyre.
“Tre vjet më parë, në orët e para të 24 shtatorit, Republika e Kosovës u godit rëndë nga një sulm terrorist i organizuar, i mbështetur e i financuar nga Serbia. Por përvoja për mbi dy dekada e heroit Afrim Bunjaku dhe policëve të tjerë të cilët ishin të angazhuar atë ditë, bëri që plani i Serbisë të dështonte. Pra, sakrifica deri në vetëmohim e heroit Afrim Bunjaku dhe po ashtu sakrifica dhe qëndresa e policëve që ishin të angazhuar atë ditë, pikërisht ajo bëri që plani i Serbisë të dështonte”, deklaroi Haxhiu gjatë vendosjes së gurthemelit të obeliskut kushtuar Bunjakut.
Pjesëmarrës në vendosjen e gurthemelit të obeliskut ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai deklaroi se edhe falë sakrificës së Bunjakut, veriu tash frymon lirshëm.
“Kjo fitore solli liri për këtë pjesë, veriu i Kosovës tash frymon lirshëm, si rrjedhojë e kësaj, ne kemi arritur që të zbulojmë edhe varreza masive, të identifikojmë persona të pagjetur, të zhdukur dhunshëm nga kriminelët atëherë, nga shteti kriminal serb të asaj periudhe dhe ky faktorizim, ky frymim i lirshëm, jo vetëm tashmë i kësaj pjese, po fuqizimi i shtetit të Kosovës po mundëson që ne të vazhdojmë me punë të mira, punë të mëdha në veri, të vazhdojmë të kërkojmë për të zhdukur të tjerë, por në të njëjtën kohë edhe të fuqizojmë gjithë shtetin”, ka deklaruar Sveçla.
Paraprakisht Haxhiu, Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij.
Haxhiu, Sveçla dhe Hoxha kanë nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Homazhet janë bërë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit të rënies së Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë përleshjes me grupin e armatosur serb që sulmoi Policinë e Kosovës.
Grupi i organizuar pati vrarë Bunjakun në një pritë në veri, ndërsa gjatë ikjes ishte mobilizuar në fshatin Banjskë. Pamjet nga droni kanë kapur fytyrat e dhjetëra të dyshuarve, ndërsa ato kanë shfaqur edhe momentet e ikjes së tyre.
Policia e Kosovës pati kapur arsenal armësh pas sulmit për të cilin Kosova e akuzon direkt shtetin e Serbisë.
Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Por që të gjithë ndodhen në Serbi.
Homazhe në nderim të heroit Afrim Bunjaku
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij.
Haxhiu, Sveçla dhe Hoxha kanë nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Homazhet janë bërë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit të rënies së Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë përleshjes me grupin e armatosur serb që sulmoi Policinë e Kosovës.
Ambasada e SHBA-së rithekson thirrjen që autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka ritheksuar thirrjen që autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës.
Në një postim me rastin e trevjetorit të sulmit në Banjskë, Ambasada ka theksuar se bashkohet me Kosovën për të nderuar rreshterin e vrarë gjatë sulmit, Afrim Bunjaku.
“Bashkohemi me Kosovën për të nderuar zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë në shtator 2023. Ritheksojmë thirrjen tonë që autorët të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ambasadori gjerman bën homazhe para varrit të Afrim Bunjakut: Drejtësia të vihet në vend pa vonesa
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph ka bërë sot homazhe pranë varrit të heroit Afrim Bunjaku, derisa ka bërë thirrje që drejtësia të vihet në vend pa vonesa.
Në një postim në Facebook të Ambasadës së Gjermanisë, thuhet tutje se udhëheqësi i vetdeklaruar i sulmit, ende nuk është mbajtur përgjegjës.
Milan Radoiçiq e pati marr përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.
“Sot shënohen tre vjet nga vrasja e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Udhëheqësi i vetëdeklaruar i sulmit ende nuk është mbajtur përgjegjës. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend pa vonesa të mëtejshme”.
Ambasada e Britanisë thirrje Serbisë: Autorët e sulmit të Banjskës të mbahen përgjegjës
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë i ka bërë thirrje Serbisë që autorët e sulmit të Banjskës të vihen para drejtësisë.
Në një postim në Facebook, Ambasada ka shkruar se llogaridhënia mbetet thelbësore, duke theksuar se përgjegjësitë, përfshirë Milan Radoiçiq ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Tutje është kujtuar edhe heroi Afrim Bunjaku që humbi jetën si pasojë e atij sulmi. Ambasada ka thënë se nderon guximin dhe profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës në mbrojtje të vendit dhe rikthimin e sigurisë.
“Tre vjet pas sulmit tragjik në Banjskë, kujtojmë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili humbi jetën në shërbim të vendit të tij. Nderojmë guximin dhe profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës në reagimin ndaj sulmit dhe në rikthimin e sigurisë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të prokurorëve të Kosovës për të vendosur drejtësinë. Llogaridhënia mbetet thelbësore. Përgjegjësit, përfshirë Milan Radoiçiçin, ende nuk janë përballur me drejtësinë. I bëjmë sërish thirrje autoriteteve serbe që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që autorët të mbajnë përgjegjësi, pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në postimin e ambasadës.
Sot janë bërë tri vjet që prej kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. E edhe pse kanë kaluar tri vjet dhe përgjegjësinë e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të akuzuar janë ende të lirë në Serbi.
Kurti kujton Afrim Bunjakun: Të gjithë kriminelët e Banjskës do të përgjigjen para drejtësisë
Kryeministri Albin Kurti më rastin e përvjetorit të tretë të sulmit terrorist në Banjskë ka kujtuar rreshterin policor Afrim Bunjaku që u vra gjatë sulmit.
Ai ka thënë se Bunjaku ra në mbretje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës sonë dhe ka theksuar se grupi terrorist që kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.
“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinëzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës. Kjo falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve tanë në rendit e të inteligjencës, politikë e publikë, në mbrojtje të Republikës, të paqes, të drejtave dhe sigurisë për të gjithë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se të gjithë përgjegjësit për sulmin do të përgjigjen një ditë para drejtësisë.
“Në Banjskë, në vendin e sulmit aty, rruga sot mban emrin e heroit Afrim Bunjaku. Ndërkaq, tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë herdokur. Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar. Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhnjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët. Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”, ka shkruar Kurti.
E, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova tre vjet më parë u përball me sulmin terrorist më të madh që pas luftës, të mbështetur nga aparati shtetëror i Serbisë.
“Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq. Heroin Afrim Bunjaku do ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë”, ka shkruar ai.