Varrimi nga Serbia me ceremoni shtetërore i kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, ka treguar se Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit, ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se Serbia vazhdimisht organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme.
“Nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj 1991 e deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator 2026, Serbia organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme. Me shërbimin e përlotur fetar të djeshëm të Patriarkut Porfirije te kufoma e Ratko Mlladiqit, Serbia po konfirmohet si teokraci militariste ku politikanët e tyre ftohen për tifozeri klubesh të ndryshme të ligës së njëjtë. Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka kujtuar se Mlladiqi qe shpallur fajtor për gjenocidin me mbi 8000 të vrarë në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës më 1995.
“Gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dëshmuar nga varrezat masive, identifikimet forenzike të mijëra viktimave, dëshmitë e të mbijetuarve dhe dokumentimi i hollësishëm i operacionit të vrasjes dhe fshehjes së trupave, jo interpretim historik apo akuzë politike. Burrat dhe djemtë boshnjakë u ndanë nga familjet, u ekzekutuan sistematikisht dhe u hodhën në varreza masive; pastaj shumë prej trupave të tyre u zhvarrosën e u shpërndanë në varreza dytësore e tretësore për t’i fshehur gjurmët e krimit. Ratko Mlladiq ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj”, ka shkruar Kurti. “Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar”.
Tek ka kujtuar se Serbia ishte konstatuar se nuk e ka parandaluar gjenocidin dhe nuk e ka transferuar Mlladiqin për gjykim, Kurti ka thënë se me ceremoninë e varrimit “mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”.
Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Mlladiq, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë gjatë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, u varros në Beograd të hënën. Ceremonia u shoqërua me të shtëna nderi nga ushtria dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës. Në prani të pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, udhëheqësve politikë të Republikës Sërpska dhe zyrtarëve të Serbisë, të pranishmit brohoritën emrin e Mlladiqit dhe e përcollën arkivolin e tij me duartrokitje. Por për Bashkimin Evropian, ky nuk ishte varrim me nderime të larta shtetërore. Tek të martën, zyrtarët më të lartë evropianë e kanë cilësuar shokues ceremoninë e varrimit të të dënuarit për gjenocid.