Botë

Kremlini thotë se dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt

Dmitry Peskov

Kremlini ka thënë të hënën se dëshironte që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt të ishte e mundur, por se përpjekjet për ta zgjidhur atë kanë ngecur.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i është përgjigjur vërejtjeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të premten e kaluar, i cili ka thënë në një takim me kryeministrin hungarez, Viktor Orban se mendonte që lufta do të përfundojë në një të ardhme jo shumë të largët.

Peskov, duke informuar gazetarët, ka ripërsëritur qëndrimin e Kremlinit se lufta mund të përfundojë sapo Rusia të arrijë qëllimet e saj dhe se do të preferonte ta bënte këtë me mjete politike dhe diplomatike.

"Por aktualisht ka një pauzë, situata është bllokuar. Nuk është bllokuar për fajin tonë", ka thënë ai, duke fajësuar Ukrainën.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë hedhin poshtë akuzën e Moskës se po bllokon përpjekjet për paqe.

Që nga 23 korriku nuk janë zhvilluar bisedime ballë për ballë midis Rusisë dhe Ukrainës.

Trumpi është përpjekur të bindë presidentin rus, Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të takohen, por Kremlini ka thënë se një samit i tillë mund të zhvillohet vetëm në Moskë - një kusht që Zelensky e refuzon. Ai ka thënë vazhdimisht se nuk beson se Putini është serioz në kërkimin e paqes.

Mirëpo Peskov është shprehur se është Kievi ai që nuk dëshironte të vazhdonte bisedën.

"Ata po nxiten në çdo mënyrë nga evropianët, të cilët besojnë se Ukraina mund ta fitojë luftën dhe të sigurojë interesat e saj me mjete ushtarake", ka deklaruar Peskov.

Sipas tij, ky është një mashtrim i thellë, duke pasur parasysh situatën në betejë.