Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të enjten se Rusia s’e konsideron që bisedimet për paqen në Ukrainë kanë stagnuar, pavarësisht komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, për homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe vazhdimit të ndihmës ushtarake nga ana e Washingtonit zyrtar.
Trumpi kishte thënë të martën se s’është aspak i lumtur me Putinin, duke e akuzuar rrjedhimisht shefin e Kremlinit se po “flet shumë budallallëqe”.
Krahas kësaj, Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë përsëri Ukrainës predha artilerie dhe raketa, kanë bërë të ditur dy zyrtarë amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters.
I pyetur nga Reutersi nëse procesi i paqes në Ukrainë ishte bllokuar për shkak të komenteve të Trumpit dhe rifillimit të dërgesave të armatimit nga SHBA-ja, Peskov ka thënë para gazetarëve se “nuk mendon kështu dhe se nuk mund të thuhet një gjë e tillë”.
Sipas Peskovit, Rusia ka pritur për sinjale të reja nga Ukraina nëse do t’i bashkohet ose jo rundit të tretë të bisedimeve, të cilat nisën në muajin maj në Stamboll.
“Ne kemi thënë vazhdimisht se do të ishte e preferueshme për ne të arrinim qëllimet tona përmes mjeteve paqësore politike dhe diplomatike, por për sa kohë që kjo nuk ndodh, operacion special ushtarak vazhdon dhe realiteti në terren po ndryshon çdo ditë”, ka shtuar ai.
Putini kishte urdhëruar dërgimin e dhjetëra mijëra trupave ruse në Ukrainë në shkurtin e vitit 2022, pas tetë vjetësh luftimesh në Ukrainën lindore ndërmjet separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase.
Trump, i cili ka thënë se dëshiron të mbahet në mend si paqebërës, ka bërë vazhdimisht thirrje për t’i dhënë fund “gjakderdhjes” në Ukrainë.
Në qershor të vitit 2024, Putini ishte shprehur se Ukraina duhet që zyrtarisht të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe të tërheqë trupat e saj nga i gjithë territori i katër rajoneve ukrainase që pretendohen nga Rusia.